‘Ditë e artë’, Ejup Maqedonci kujton zbarkimin e parë të FSK-së jashtë vendit (Video)

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ndjehet i emocionuar derisa shpalos një nga momentet më të bukura të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht 15 vjetorin e zbarkimit të parë jashtë vendit.

Ndërsa kujton këtë moment, Maqedonci, shprehet se kishte fatin që të komandonte zbarkimin e parë të FSK-së, në ndihmë motrave e vëllezërve në Shqipëri pas përmbytjevenga të reshurat e dendura të shiut.

“Në janar të vitit 2010, kam patur fatin dhe detyrën e lartë ta komandoja zbarkimin e parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Atë kohë, një kontigjent i FSK-së u pati shkuar në ndihmë motrave dhe vëllezërve shqiptarë në prefekturat e Shkodrës dhe Lezhës, kur pas të reshurave të mëdha të shiut u patën përmbytur zona të tëra”, tha Meqedonci

I emocionuar por edhe krenar kujton këto momente, ndërsa thekson se në ndihmë për vendet e përmbytura tashmë kishin shkuar ekipet e kërkim shpëtimit dhe ato mjekësore të FSK-së.

“Si kapiten kam qenë i ngarkuar me detyrën e komandimit të kontigjentit të FSK-së që përbëhej nga Njësia e Kërkim Shpëtimit, Policia e FSK-së, togu i transportit dhe ekipet mjekësore. Pamjet e banorëve të evakuar nga zonat e përmbytura dhe shpëtimi i tyre nga mbytja e sigurtë, më janë ngulitur thellë në kujtesë dhe tani mu rikujtuan kur po i shihja këto inserte nga një reportazh i gazetarit Asllan Bajrami për RTK-në”, kujton Maqedonci.

Eh nga ajo kohë, thekson Maqedonci, tani FSK ka shënuar progrese në të gjitha fushat operacionale, ndërsa shprehet ai se do të vazhdohet me rriten e profesionalizmin e FSK-së me prioritet dhe përkushtim.

15 vite pas zbarkimit të parë të FSK-së jashtë vendit, tani FSK-ja ka arritur kapacitete operacionale të atij niveli që pjesëtarët e saj kanë bashkëzbarkuar me trupat ushtarake amerikane dhe britanike nëpër misione të përbashkëta. Të tjera misione na presin para, sikur edhe shumë, përkushtim dhe profesionalizëm. Për Republikën e Kosovës!, shprehet Maqedonci.