Analisti Edvin Kulluri, në një intervistë për “Tirana Live” në Abc News komentoi vizitën e përfaqësuesit të SHBA në Tiranë, Gabriel Escobar. Ai pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj si edhe përfaqësuesit opozitarë, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Metën.
Ndërkohë, i pyetur për faktin se ka shmangur takimin me Sali Berishën, Kulluri tha se nuk mund të takohet me dikë që SHBA nuk ka besim. Për Metën ai theksoi se i ka kuptuar gabimet që ka bërë gjatë kohës që ka qenë president dhe ka ulur tonin ndaj SHBA-ve.
“Axhenda e takimeve të zyrtarëve të lartë është e lidhur me mardhëdhëniet që ne kemi. Çështje sigurie, bashkëpunimi ndërkombëtar, në diplomaci që është e pandarë. SHBA kanë kërkuar dhe Shqipëria ua ka kthyer besimin në OSBE dhe OKB. Pra partneriteti i SHBA-Shqipëri është i palëvizshëm dhe i patjetërsueshëm.
Nuk duhet ta zvogëlojmë çështjen tek një qeveri apo tjetër. Pavarësisht se atje janë republikanë apo demokratë apo këtu socialistë apo demokratë në pushtet. Duke e lidhur edhe me situatën në Ukrainë dhe një konjukturë në lëvizje, raportet dhe marrëdhëniet duhet të rriten dhe të forcohen.
Por ndodhin edhe incidente të zakonshme ku aty ku nuk ka besim SHBA nuk ndajnë marrëdhënie dhe këtu është rasti i Berishës. Meta mesa duket është kthjelluar dhe ka kuptuar që është në rrugën e gabuar. Kur ka qenë president ka thënë gjëra të papranueshme por tani ka qenë i përmbajtur.
Tani nuk ka asnjë sulm sepse e ka kuptuar se këtu nuk ka asgjë personale por është thjesht marrëdhënie politike.”, tha ai./abcnews.al