Këshilltari i Zelensky mohon raportet e mediave për “planin e fitores së Ukrainës” që përfshin armëpushimin me Rusinë
Gazeta gjermane Bild ka raportuar se presidenti Volodymyr Zelensky është i përgatitur t’i propozojë Rusisë një armëpushim në një pjesë të zonës ku po zhvillohen luftimet e ashpra, por këshilltari i tij e ka mohuar pretendimin.
Dmytro Lytvyn, këshilltar i Zelensky mohoi kategorikisht këto pretendime të Bild-it gjerman, transmeton Telegrafi.
Në mëngjesin e 15 shtatorit, media ukrainase dhe ruse cituan historinë e Bild, e cila përmendte “planin e paqes të Zelensky”.
Gazeta raportoi se Zelensky pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme, për t’ia paraqitur strategjinë e tij presidentit Joe Biden dhe kandidatëve presidencialë Kamala Harris dhe Donald Trump.
Bild pretendon se strategjia përfshin një kërkesë për të lejuar Ukrainën të kryejë sulme me rreze të gjatë në Rusi me armë të furnizuara nga perëndimi, dhe gatishmërinë e Kievit për të rënë dakord për një armëpushim të lokalizuar në zona të caktuara të zonës së luftës, pra një ngrirje të përkohshme të armiqësive.
Në një koment për Ukrainska Pravda, këshilltari i Zelensky theksoi se raporti ishte i rremë dhe se gazeta gjermane nuk mund ta kishte parë dokumentin.
“Bild nuk e ka parë Planin e Fitores dhe nga pak personat e përfshirë aktualisht në përgatitjen e Planit të Fitores, asnjëri prej tyre nuk ka folur me Bild”, shtoi ai.
“Askush nuk do t’u japë rusëve Minsk-3 ose ndonjë format tjetër. Ukraina kundërshton çdo ngrirje të luftës dhe ky qëndrim komunikohet nga autoritetet ukrainase në të gjitha nivelet. Është thelbësore për ne që Shtetet e Bashkuara të mbështesin Planin e Fitores së Ukrainës, jo dorëzimin apo ngrirjen [aksionin ushtarak]”, theksoi ndwr tjera.
“Plani i Fitores do t’i prezantohet fillimisht Shteteve të Bashkuara, sepse Shtetet e Bashkuara mund të sigurojnë zbatimin e përmbajtjes së tij”, tha për fund ai.