Kurti: Serbët në Kosovë janë çliruar nga strukturat kriminale, por shqetësohem se nuk kanë entuziazëm e as lumturi
Kryeministri Albin Kurti para studentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se se strukturat paralele brenda Kosovës e kanë humbur betejën. Ai theksoi se Kosova aktualisht ka siguri dhe stabilitet.
“Serbët në Kosovë janë çliruar nga ato struktura kriminale, por nuk ka entuziazëm dhe nuk ka lumturi, e kjo po më shqetëson. Dua të jenë të lumtur”, tha Kurti në një ligjëratë në Universitetin Yale, në Shkollën Jackson për Çështjen Globale.
“Beogradi zyrtar nga kënvështrimi im vuan nga trauma paradoksale. Ata kanë humbur diçka që nuk e kanë pasur, sepse nëse ke diçka dhe pastaj e humb, herët ose vonë ti mund ta kthesh prapa, por nëse humb diçka që kurrë se ke pasur është shumë problem, dhe unë mendoj se ajo ka ndodhur”, deklaroi Kurti.
Ai tha se për këtë, duhet që BE, SHBA, NATO dhe shtetet demokratrike, të ndihmojnë Serbinë të emancipojë vetën nga e kaluara nga emri i Millosheviqit, dhe e tashmja e presidentit Putin.
Tutje Kurti tha se Kosova është njëra ndër shtetet e botës që iu është bashkuar sanksioneve të shteteve ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.
Ai përmendi edhe Serbinë e cila ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka folur për bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Kurti mes tjerash theksoi se pret që vitin e ardhshëm të bëhet hapi drejt marrjes së statusit të shtetit kandidat për integrim në BE.