Forcat ukrainase janë përballur për muaj të tërë me një ofensivë rraskapitëse ruse në qytetet e goditura dhe llogore të granatuara rëndë që shtrihen në vijën e frontit lindor.
Por tani, me forcat e Kremlinit që duket se kanë vështirësi në kapacitete, Ukraina po përgatitet të kundërpërgjigjet, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Nëse stafi ynë i lartë ushtarak thotë se kemi mjaft trupa, predha të mjaftueshme – mjaftueshëm gjithçka – për të sulmuar, atëherë ne jemi gati”, ka thënë për AFP në rajonin e Donetsk këtë javë një ushtarak ukrainas, i cili e identifikoi veten si Mark.
Rusia u mposht në humbjet e turpshme pranë kryeqytetit Kiev, Kharkiv dhe Kherson vitin e kaluar, por analistët tani thonë se Ukraina ka një mudësi për të dhënë një goditje më të madhe.
Kjo pasi që forcat ruse të rekrutuara së fundmi janë varfëruar keq pas ofensivës së tyre të dobët, ndërsa Kievi ka grumbulluar municione, ka marrë artileri me rreze të gjatë dhe tanke luftarake nga Perëndimi dhe po forcon ushtrinë e tij.
“Kush e di se kur Ukraina do ta ketë përsëri këtë shans”, citohet të ketë thënë Mykola Bielieskov, një studiues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike në Kiev.
“Është tani ose kurrë”, ka thënë ai për AFP.
Por pyetja kryesore është: kur?
Ministria e mbrojtjes kohët e fundit postoi pamjet e një ushtaraku duke kërcyer në një llogore të mbushur me baltë me mbishkrimin: “Sapo toka të ngurtësohet, do të jetë e mundur të niset një ofensivë”.
“Por më e rëndësishme se moti është që trupat ukrainase të zotërojnë armët që u janë premtuar nga Perëndimi dhe të sinkronizojnë inteligjencën dhe logjistikën”, vlerëson Bielieskov.
Në këtë drejtim, ai vlerësoi se përgatitjet sulmuese të Ukrainës mund të arrijnë kulmin deri në qershor ose korrik, shumë më vonë se parashikimet e tjera të fundit të këtij muaji ose në fillim të majit.
“Të gjithë në Kiev e kuptojnë se një ofensivë e nisur para kohe ka më pak gjasa të ketë sukses”, shtoi Bielieskov.
Rajonet jugore të Zaporizhzhia dhe Kherson – që Kremlini pretendoi se i kishte aneksuar shtatorin e kaluar – janë objektiva të mundshëm dhe marrja e tyre nga Kievi do të çante një urë tokësore midis Rusisë dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë.
Dhe kur Ukraina të fillojë të kundërpërgjigjet kundër pozicioneve të fortifikuara ruse, artileria dhe predha të mjaftueshme do të jenë kyçe në një betejë të dominuar nga “duele” me rreze të gjatë.
Sidoqoftë, një vit pasi Rusia filloi pushtimin, vëzhguesit thonë se Ukraina është shfaqur forca më e motivuar./Telegrafi