Ushtarët izraelitë i hedhin trupat e pajetë të palestinezëve nga ndërtesa! Izraeli thotë të ketë nisur hetimet pas publikimit të pamjeve rrëqethëse
Ushtarët izraelitë hedhin katër trupa të pajetë nga çatia e një ndërtese gjatë një inkursioni në Bregun Perëndimor.
Në një video, tre ushtarë izraelitë shihen duke ngritur një trup të pajetë dhe më pas e tërheqin zvarrë drejt skajit të çatisë. Ata përkulën buzë çatisë dhe më pas e hedhin trupin.
Një tjetër video tregon gjithashtu ushtarët në një çati tjetër duke mbajtur një trup të pajetë nga gjymtyrët dhe më pas e hedhin. Në videon e tretë, ushtari godet trupin para se të bjerë poshtë ndërtesës. Pamjet e marra nga AP tregojnë gjithashtu një trup të katërt të hedhur nga ndërtesa.
Ushtria izraelite konfirmoi se po hetonte incidentin. “Ky është një incident i rëndë që nuk përputhet me vlerat e ushtrisë izraelite dhe pritshmëritë e ushtarëve”, theksuan ata.
Izraeli njoftoi se forcat e tyre vranë katër militantë gjatë operacionit të djeshëm, ndërsa Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah njoftoi se një person u vra në qytet, raporton skynews.
Imazhet e marra nga një reporter i AP-së tregojnë një buldozer të ushtrisë izraelite duke lëvizur pranë ndërtesave nga të cilat janë hedhur trupat. Gazetarë të tjerë në vendngjarje gjithashtu panë se trupat u shtynë nga çatitë. Nuk dihet identiteti i të ndjerëve dhe shkaku i vdekjes së tyre.
Një gazetar i AP tha se ai pa gjithashtu një palestinez me sy të lidhur dhe pa këmishë të gjunjëzuar përpara një xhipi të ushtrisë izraelite dhe ushtarëve të armatosur. Sipas ligjit ndërkombëtar, ushtarët duhet të sigurojnë që trupat e pajetë, përfshirë ato të luftëtarëve të armikut, të trajtohen në mënyrë të denjë.
Grupet e të drejtave të njeriut pohojnë se ushtria izraelite rrallë i ndëshkon ushtarët e saj për shkeljen e të drejtave palestineze. Më shumë se 700 palestinezë në Bregun Perëndimor janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Izraeli përgjigjet se sulmet janë të nevojshme për të eliminuar militantët. Në të njëjtën kohë, militantët e armatosur palestinezë sulmojnë izraelitët në postblloqe dhe organizojnë sulme brenda Izraelit. /Telegrafi/