Rastet e para të konfirmuara të foshnjave të lindura me dëmtim të trurit si rezultat i kalimit të virusit COVID-19 në placentën e nënave të tyre u zbuluan në një studim të ri këtë javë.
Të dy foshnjat lindën nga nëna të reja që kishin rezultuar pozitive për virusin në tremujorin e dytë të shtatzënisë gjatë kulmit të përhapjes së variantit Delta në vitin 2021 – përpara se vaksinat të ishin të disponueshme, sipas studimit të Universitetit të Miamit që u botua në revistën Pediatrics.
Në ditën që lindën, të dy foshnjat pësuan konvulsione dhe më vonë pësuan vonesa të konsiderueshme në zhvillim. Një fëmijë vdiq në muajin e 13-të, ndërsa tjetri u vendos në inkubator, thanë studiuesit.
Foshnjat nuk ishin infektuar me virusin, por kishin nivele të larta të antitrupave në gjakun e tyre, tha Dr. Merline Benny, neonatologe dhe asistent profesoreshë në universitet, raporton nypost.
Ajo tha se kjo tregon se virusi ka të ngjarë të transferohet nga nëna në placentë dhe më pas tek foshnja.
Ekipi hulumtues gjeti prova të virusit në placentën e të dy nënave, sipas Benny. Një autopsi tregoi gjurmë të COVID-19 në trurin e foshnjës, duke sugjeruar se infeksioni i drejtpërdrejtë shkaktoi lëndimet, tha ajo.
Të dyja nënat rezultuan pozitive për virusin. Njëra kishte vetëm simptoma të lehta dhe bëri lindje normale, ndërsa nëna tjetër ishte aq e sëmurë sa që mjekët iu desh ta lindnin fëmijën e saj në javën e 32-të.
Mjekët kishin sugjeruar se kjo ishte e mundur, por ky studim është prova e parë e drejtpërdrejtë e virusit në placentën e një nëne ose në trurin e një foshnje, thanë studiuesit.
Viruse të tjera dihet se shkaktojnë dëmtime të trurit tek fetusi, duke përfshirë Cytomegalovirus, Rubeola, HIV dhe Zika.
Ndërsa raste si ky dyshohet se janë të rralla, Dr. Shahnaz Duara, mjek obstetër dhe gjinekolog në universitet, tha se gratë që ishin infektuar me COVID-19 gjatë shtatzënisë së tyre duhet të kontaktojnë pediatrin e fëmijës së tyre për të parë nëse ka vonesa në zhvillim, të cilat mund të duhen vite për t’u shfaqur.
“Ne e dimë se gjërat mund të jenë mjaft delikate deri në moshën 7 ose 8 vjeç derisa fëmijët të shkojnë në shkollë”, shtoi ajo./Telegrafi