Gjermania e shqetësuar për pasivizimin e adresave nga Serbia në Luginë të Preshevës

Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë.

“Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike. Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar”, thuhet në përgjigje për DW.

Në kundërshtim me obligimet ligjore

Ministria e Jashtme gjermane kujton se kjo tendencë bie ndesh me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.

“Këto të drejta janë të garantuara si me Kushtetutë dhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Veç kësaj, Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore”, thotë MPJ gjermane.

Ministria e Jashtme dhe Ambasada në Beograd janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e pakicës shqiptare, bëhet e ditur nga MPJ e Gjermanisë. Edhe Këshilli i Evropës e monitoron situatën e pakicës shqiptare në jug të Serbisë. Komisioni Evropian ka parashikuar në kapitullin negociues me kandidaten e BE-së 23 disa masa për mbrojtjen e pakicës shqiptare, përfshirë një plan veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Në kuadër të dialogut shoqëror mes qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare, janë dakorduar disa masa, ku përfshihet edhe një plan për integrimin e anëtarëve të pakicës shqiptare në sektorin publik dhe në institucionet shtetërore në nivel komunal (2023-2026), sqaron MPJ gjermane.

“Zbatimi i këtyre planeve kërkon ende një monitorim të saktë nga BE dhe Këshilli i Evropës”, thotë MPJ.

Situata e shqiptarëve në jug të Serbisë kërkon më shumë vëmendje

Sipas një studimi të Institutit Max-Planck nga viti 2023, në vitet e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga regjistrat pa dëshirën e tyre. Riregjistrimi është shumë i komplikuar. Disa kanë paraqitur tani padi kushtetuese.

Kohët e fundit, një delegacion i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës ishte në Gjermani, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin serb, për të tërhequr vëmendjen e Berlinit për situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë.

Knut Abraham (CDU/CSU) i tha DW se informacionet janë “shqetësuese”.

“Kjo përfshin situatën ekonomike, por edhe fshirjen e adresave nga regjistrat e votuesve, në të cilat dyshohet se janë të përfshira autoritetet shtetërore”, tha Abraham, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Evropës.

Politikani i FDP-së, Thomas Hacker, i tha DW -së se situata e pakicës shqiptare në Serbi “meriton më shumë vëmendje ndërkombëtare”.

Aktualisht, fokusi është shumë i përqendruar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo bën që çështje të tjera po aq të rëndësishme të mbeten në hije.

“Për më tepër procesi i pasivizimit duket si një proces gradual i heqjes së të drejtave”.

Serbia duhet të zbatojë planin e veprimit për përfaqësimin më të mirë të pakicës shqiptare në institucionet lokale.

“Serbia është angazhuar për këtë dhe duhet të përmbushë detyrimet”, tha Hacker.

Ai shtoi se duhet gjetur një zgjidhje edhe për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në Prishtinë. “Sukseset e Procesit të Berlinit duhet të vlejnë edhe për pakicat në Serbi”, tha politikani gjerman.

Në kuadër të Procesit të Berlinit gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kanë nënshkruar ndër të tjera një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale. Serbia e ka dërguar marrëveshjen në parlament, por ende nuk e ka ratifikuar plotësisht.

Kosova dhe Shqipëria ishin të parat që e ratifikuan. /DW

  • Postime të ngjashme

    SPAK: Meta mori para nga Kastriot Ismailaj për CEZ-DIA-n, përfitoi një vilë nga një biznesmen

    Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me arrestimin e ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku deklaron se hetimet janë kryer në bazë të disjes…

    Publikohen pamjet: Momenti i arrestimit të ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja

    Këto janë pamjet e arrestimit të ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, një ditë më parë në zonën e Durrësit me urdhër të SPAK. Tvklan.al ka siguruar videon e momentit të…

    Mos i humbisni

    SPAK: Meta mori para nga Kastriot Ismailaj për CEZ-DIA-n, përfitoi një vilë nga një biznesmen

    • October 21, 2024
    SPAK: Meta mori para nga Kastriot Ismailaj për CEZ-DIA-n, përfitoi një vilë nga një biznesmen

    Publikohen pamjet: Momenti i arrestimit të ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja

    • October 21, 2024
    Publikohen pamjet: Momenti i arrestimit të ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja

    U përmend në Big Brother VIP Kosova 3, reagon Gold AG

    • October 21, 2024
    U përmend në Big Brother VIP Kosova 3, reagon Gold AG

    Momenti kur motori i një Boeing në Çikago “përpin” veturën që transportonte valixhet

    • October 21, 2024
    Momenti kur motori i një Boeing në Çikago “përpin” veturën që transportonte valixhet

    Vuçiq: Do të luftoj deri në momentin e fundit për zgjidhje kompromisi me Kosovën

    • October 21, 2024
    Vuçiq: Do të luftoj deri në momentin e fundit për zgjidhje kompromisi me Kosovën

    Aksidenti me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, tre të lënduar po trajtohen në spitalin e Prizrenit

    • October 21, 2024
    Aksidenti me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, tre të lënduar po trajtohen në spitalin e Prizrenit