Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se gjatë bisedimeve të zhvilluara sot në Bruksel kanë insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se kjo është një çështje kyçe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit të mbajtur në kuadër të dialogut me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, Petkoviq theksoi se në takim është diskutuar edhe për situatën e serbëve në Kosovë.
Sipas tij, serbët në veri të vendit po përballen me arrestime të paligjshme dhe veprime të njëanshme, të cilat kanë bërë që një pjesë e tyre të largohen nga ky rajon.
Gjithashtu, Petkoviq ka përmendur se është diskutuar për vazhdimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Ai theksoi se Serbia ka treguar konstruktivitet të plotë duke pranuar propozimin e BE-së për një rregullore specifike lidhur me Grupin e Punës dhe Komisionin për Çështjen e Personave të Zhdukur.
Megjithatë, sipas Petkoviqit, Kosova ka bërë disa komente që kanë ngadalësuar këtë proces.
“Kosova po tregon se në thelb nuk dëshiron të merret me çështjen e personave të zhdukur,” deklaroi Petkoviq, sipas agjencisë së lajmeve Tanjug.