Forcat e armatosura të Britanisë së Madhe janë të gatshme të luftojnë qysh sonte kundër Rusisë nëse presidenti rus, Vladimir Putin do të pushtonte një tjetër vend të Evropës Lindore.

Kështu ka deklaruar së paku zyrtari i lartë ushtarak britanik, Rob Magowan, shkruan cnn.

“Nëse Ushtria Britanike do të thirrej për të luftuar sonte, ajo do të luftonte qysh sonte. Dhe nuk mendoj se dikush në këtë sallë duhet të ketë iluzione se, nëse rusët pushtojnë Evropën Lindore sonte, ne do të përballeshim me ta në atë betejë”, tha zëvendësshefi i shtabit të mbrojtjes britanike, para një komisioni të mbrojtjes në parlament.

Kujtojmë se komentet e Magowanit para komisionit erdhën pak kohë pasi u raportua se Rusia kishte lëshuar një raketë balistike të aftë për të mbajtur armë bërthamore gjatë një sulmi të mëngjesit të së enjtes në Dnipro, Ukrainë.

Më vonë gjatë ditës, Putin deklaroi se predha ishte një raketë balistike e re me rreze të mesme dhe nuk bëhet fjalë për ato bërthamore.

Ndryshe, Britania ka lejuar Ukrainën që të përdorë raketat Storm Shadow për të kryer sulme brenda Rusisë.