Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku i është bashkuar zyrtarisht koalicionit parazgjedhor të AAK-së, NISMA-s, Listës Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30. Në konferencë për media u tha se Lushtaku ka qenë luftëtar i hershëm i UÇK-së por edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj pas zyrtarizmit të këtij koalicioni tha se në përpjekjet për liri kanë qenë bashkë me Lushtakun.

Haradinaj: E konfirmojmë që koalicionit tonë i bashkohet gjeneral Nuredin Lushtaku

“E konfirmojmë që koalicionit tonë, pra të Aleancës, të Nismës, Konservator Intelektualëve, i është bashkuar Lista Ideali, e udhëhequr nga gjeneral Nuredin Lushtaku. Një shqiptar i zoti, patriot, një luftëtar i hershëm i UÇK-së, ka mbajtur edhe funksione publike, komandant i gardës në Ushtrinë e Kosovës, ka qenë edhe deputet në një periudhë të caktuar. Njihemi me gjeneralin Nuredin Lushtaku herët, por politikisht nuk kemi bashkë luftuar në kuptimin e jetës politike të tashme por në përpjekjet për çlirim e liri kemi qenë bashkë”, tha ai.

Edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se Lushtaku “ashtu siç ka qenë në luftë pranë ushtarëve, ka vazhduar të jetë krahë qytetarëve të Skenderajt”.

Limaj: Është një ditë e rëndësishme për koalicionin

“Është një ditë e rëndësishme për koalicionin, për neve sot. Gjeneral mirëserdhe edhe formalisht dhe besoj që krejt ato që kemi pasur t’i themi i kam thënë në konventë. Ne besojmë shumë në bashkimin e këtyre forcave, të cilat do të bëjnë ndryshimin. Gjeneral Nuredin Lushtaku, siç e tha edhe kryeministri, një njeri i orëve të para, bashkëluftëtar i komandantit legjendar, Adem Jashari, i të gjitha proceseve dhe ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Skenderaj e Kosovë, pastaj në luftën çlirimtare”, u shpreh Limaj.

Udhëheqësi i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku theksoi se Kosovën duhet ta udhëheqin njerëzit që kanë dhënë për Kosovën.

Lushtaku: Kosovës i ardhur koha që ta udhëheqin njerëzit që kanë dhënë për vendin

“Unë sot e ndjej vetën shumë mirë që jam në mesin e këtyre dy burrave që kanë kontribuar për vendin qysh prej formimit të UÇK-së e deri në ditët e sotme nuk e kanë ndaluar kontributin asnjëherë, që të kontribuojnë për shtetin e Kosovës. Edhe besoj që do të kalojmë shumë mirë me një bashkëpunim shumë të sinqertë qysh njihemi herët edhe e dimë vlerën e njëri-tjetrit, i dimë hjekat që janë bërë për vendin, gjaku që është derdhur për këtë vend. Dhe mendoj që Kosovës i ka ardhur koha që duhet me u udhëheq njerëzit që kanë dhënë për vendin, e jo njerëzit që kanë gjetur të gatshëm çdo gjë dhe mundohen sot që të shfrytëzojnë njerëzinë dhe shtetin dhe të gjitha”, përfundoi Lushtaku.