Rumania fitoi në tavolinë 3-0 ndeshjen ndaj Kosovës, duke u shndërruar kështu në skuadrën më të mirë në League C në Nations League dhe duke rritur shanset Play Off e Botërorit.

E dëmtuar në këtë rast është Suedia, kombëtare e cila ka dalë në vendin e parë në grupin përkatës të League C, por nuk mund të jetë më e mira.

Në këto kushte, suedezët do të kundërshtojnë në CAS vendimin e UEFA-s, pasi prezenca e tyre në Botëror është e rrezikuar. Për këtë temë ka folur gazetarja suedeze, Johanna Franden.

“Nëse përqendroheni thellë për pesë minuta, do të kuptoni pse tifozët suedezë janë të zemëruar tani për shkak të UEFA-s. Kombëtarja mund të humbasë vendin e saj në Kupën e Botës për shkak të rumunëve racistë.

“Kosova do të apelojë në CAS pas vendimit të UEFA-s. Aspekti vendimtar është të arrijmë të dëshmojmë se thirrjet për Serbinë janë raciste. UEFA ka një protokoll me tre hapa kur një skuadër vendos të largohet nga fusha duke përmendur thirrjet raciste nga tribuna, por mesazhet nga turma që konsiderohen ‘politike’ nuk janë arsye mjaft të besueshme që një ekip të ketë të drejtën të largohet nga fusha. Në përgjithësi, ata dënohen vetëm me gjobë.

Rastësisht, kështu ndodhi edhe kur dy skuadrat u takuan në ndeshjet paraprake të EURO 2024 dhe tifozët rumunë vendosën një pankartë ku shkruhej “Kosova e Serbisë”. (…) Si suedeze, gjithçka që mund të shpresoni tani është se UEFA do të nxjerrë një mësim nga CAS dhe fitorja 3-0 e Rumanisë do të fshihet. Megjithatë nuk kam shumë shpresa”,- shkruajti Franden.