Korrespondenti i skynews, Stuart Ramsay ka reflektuar mbi intervistën e tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ramsay tha se e kuptonte se Zelensky është ende shumë i vendosur – dhe megjithëse ndonjëherë mund të jetë mjaft i mprehtë me gazetarët, ai ishte “shumë i këndshëm”.
Ai deklaroi se ka një ndjenjë se ka ndryshime në mendimet e ukrainasve dhe ata mund të pranojnë se do t’u duhet të heqin dorë nga diçka që lufta të përfundojë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Unë shkova në një funeral dje. Kam qenë në shumë funerale”, tha Ramsay.
“Dhe po flisja me ushtarët, komandanti i të cilëve vdiq. Ata thanë se donin të vazhdonin luftimet. Por nëse presidenti thotë, ne do të kemi një armëpushim dhe një pjesë e tokës për të cilën ata kanë luftuar do të mbetet me rusët, do të pranonim”, shtoi ai.
“Kurrë nuk kam menduar se do ta dëgjoja këtë”, vazhdoi Stuart me habi.
Ai shtoi se “humbja e ushtarëve është diçka që u intereson të gjithëve në presidencë” – si dhe niveli i vuajtjes së civilëve në përgjithësi.
Ndryshe, sipas korrespondentit, nuk ka hatërmbetje nga ushtarët në Ukrainë për trajtimin e tyre nga Perëndimi – në fakt ka mirënjohje – por ata thonë se gjithmonë u jepet mjaftueshëm “për të mos fituar, por vetëm për të rezistuar”.
Zelensky gjatë intervistës ka deklaruar se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet nëse territori ukrainas që ai kontrollon mund të merret “nën ombrellën e NATO-s” – duke e lejuar atë të negociojë kthimin e pjesës tjetër më vonë “në mënyrë diplomatike”./Telegrafi