Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë ka dënuar ashpër sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, duke e cilësuar atë si një akt të dënueshëm ndaj një infrastrukture kritike të Kosovës.

“Italia dënon sulmin e neveritshëm në kanalin ujor në Zubin Potok, një infrastrukturë e rëndësishme kritike e vendit. Përshëndesim ndihmën e shpejtë të ofruar nga KFOR-i dhe EULEX-i për autoritetet dhe qytetarët e Kosovës, të cilëve u shprehim solidaritetin tonë,” thuhet në deklaratën e tyre.

Italia ka theksuar mbështetjen e saj për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë, duke lavdëruar përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për t’iu përgjigjur situatave të tilla

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Kujtojmë se të shtunën, autoritetet kosovare kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës. /Telegrafi/