Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të ketë kujdes me miqtë ndërkombëtar.

Sipas tij, në këtë kohë duhet që Londër dhe Ankaranë me i pas sa më afër veti, dhe nuk duhet përjashtuar nga miqësia e ngushtë strategjike në rast nevoje me aleancën ushtarake.

“Komplotet e reja kundër Kosovës, janë në zhvillim e sipër nga miqtë e Serbisë dhe Rusisë. Në rast të ndërrimit të qeverisë amerikane, mund të përkeqësohet akoma gjendja në vendin tonë dhe asnjë kryeministër apo qeveri nuk do të mund t’i bëjë ballë presionit dhe vetëm ne populli mund t’i themi të keqes jo ose ndarjes së Kosovës”, thotë Miftari.

Miftari kërkon që fondi sovran i shtetit të Kosovës duhet të kthehet në fondin emergjen në rast rreziku.

“Pra duhet të kthehet në rast nevoje për nevojat e ushtrisë së Kosovës, në rast të ndonjë luftë apo krize, pasi miqtë tanë edhe sot kanë embargo dhe kufizime ndaj armatosjes së Kosovës, kurse armatimi sulmues ushtarak serb nuk po i brengosë fare”, shton ai.

Ai shton se populli shqiptar ndër shekuj mbijetoi edhe kur kundër ishin të gjitha shtetet e fuqishme ushtarake të kohës dhe shtetet vendimmarrëse në Evropë, por edhe shtete botërore.

“Këto shtete kurrë nuk ishin fer ndaj shqiptarëve autokton dhe i vetmi rast unik kur bashkësia ndërkombëtare u tregua e drejt me popullin tonë ishte akti i intervenimit ushtarak të NATO-s më 1999 në Kosovë edhe pse misioni nuk ishte i plotë, pasi që shteti dhe ushtria franceze, veriun e Kosovës nga qershori 1999 deri në vitin 2021 i dorëzoi në duar të Beogradit dhe bandave kriminale serbe të luftës”, përfundon Naim Miftari.