Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një postim të fundit në rrjetet sociale ka ngritur shqetësime serioze mbi integritetin dhe pavarësinë e mediave në Kosovë. Ai ka kritikuar ashpër atë që e quan “kapjen” e mediave nga bizneset dhe interesat private, duke sjellë në vëmendje një çështje të rëndësishme – ngritjen e një aktakuze nga Prokuroria Speciale ndaj disa pronarëve të mediave, të akuzuar për shpëlarje parash.

Basha shprehu zhgënjimin e tij për mënyrën se si kjo ngjarje ka kaluar pothuajse pa u raportuar nga mediat kryesore. “Në plot portale e kanë fshirë lajmin, dhe në disa tjera e gjeni me shumë vështirësi,” shkroi ai, duke aluduar se një pjesë e mediave po shmang raportimin e kësaj çështjeje për të mbrojtur interesat e pronarëve të tyre.

Deputeti ka përshkruar këtë situatë si një kërcënim të madh ndaj lirisë së shtypit, duke vënë në dukje se gazetarët e ndershëm ndihen të bllokuar dhe të pafuqishëm për të raportuar të vërtetën. “Si ndjehen tash plotë gazetarë kur e dinë që pronarë të mediave janë kap me pastrim parash, por qëndrojnë ulur në desk edhe nuk guxojnë me raportu?” pyet ai.

Basha gjithashtu akuzoi një pjesë të mediave për favorizim të hapur ndaj grupeve të caktuara politike dhe biznesore. Ai sugjeroi se shumë nga këto media kanë degraduar në mënyrë të tillë që nuk shërbejnë më si burim i besueshëm i lajmeve për qytetarët. Duke e krahasuar këtë situatë me praktikat e qeverive të kaluara, ai theksoi se gazetaria po manipulohet nga paraja dhe interesat e ngushta, e jo nga një përpjekje për të mbrojtur demokracinë dhe të vërtetën.

Në fund, Basha bëri thirrje për reflektim, duke nënvizuar se kjo situatë jo vetëm që ka dëmtuar profesionin e gazetarisë, por edhe ka ulur besueshmërinë e mediave në sytë e qytetarëve. Ky postim ka ngjallur debat të madh në opinionin publik, duke hapur një diskutim të nevojshëm mbi lirinë dhe etikën në gazetari.