Publicisti Veton Surroi, duke folur në Debat Plus, ka analizuar periudhën katërvjeçare të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke vënë theksin në disa elemente.

Surroi e konsideron të rëndësishëm faktin që ky është mandati i parë i plotë katërvjeçar në historinë e qeverisjes së Kosovës, duke e cilësuar si një fazë të re të stabilitetit politik në vend.

“Ajo çka mund të thuhet është se ky është mandati i parë që përmbyllet në katër vitet. Është mandati i parë i plotë. Dhe kjo demonstron një fazë të re në zhvillim politik të Kosovës. D.m.th. ka një stabilitet politik të cilin Kosova nuk e ka pasur. Stabilitet natyrisht relativ brenda kushteve të cilave gjendemi”, ka thënë Surroi.

Një tjetër element që Surroi e vlerësoi ishte forcimi i pranisë së shtetit në tërë territorin e vendit, një hap që ai e konsideroi jetik për sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit.

“Elementi i dytë është që kemi gjatë kësaj periudhë, forcim të pranisë të shtetit të Kosovës në tërë territorin e vendit si një element pozitiv”, ka shtuar Surroi.

Gjithashtu, Surroi nënvizoi konsolidimin e opozitës gjatë kësaj periudhe, që sipas tij, ka sjellë një balancë politike në vend.

“Elementi tjetër pozitiv, i cili është hetuar. Është forcimi i narracionit të opozitës, konsolidimi i forcave të opozitës, që bën një balancë të rëndësishëm politik në vend”, ka thënë ai.

Në lidhje me qytetarët serbë të Kosovës, Surroi e vlerësoi si një proces në zhvillim ri-pozicionimin e interesave të tyre brenda Republikës së Kosovës.

“Elementi i tretë, është proces i cili po zhvillohet, është ri pozicionimi i interesave të qytetarëve serbë të Kosovës, në Republikën e Kosovës”.

Duke qenë se Surroi ka një kontratë me Qeverinë e Kosovës, ai deklaroi se nuk mund të komentojë në mënyrë kritike apo lavdëruese, për të shmangur konfliktin e interesit.

“Unë kam kontratë me Qeverinë e Kosovës kështu që çkado që të thosha për këtë qeveri do të ishte konflikt interesi, qoftë në aspektin kritik, qoftë në aspektin e saja që do konsiderohej lëvdatë”, ka thënë Surroi.