Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave lokale në Kosovë kinse ky mision ka futur në listë të zezë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ua ka ndaluar hyrjen në objektin e Komunës së Leposaviqit.

“KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në Kosovë. KFOR-i mban kontakte të rregullta me të gjitha palët kryesore”.

Misioni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme qe mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal.

KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë dhe është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Raportime të ngjashme për kinse ndalesë të vendosur nga KFOR-i për hyrjen e zyrtarëve të Kosovës në institucione të veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – ka pasur disa herë brenda vitit.

Më herët gjatë javës, ambasadori amerikan në shkuarje në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se aktorë të huaj keqdashës synojnë ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha Hovenier të martën në Prishtinë.

Ai shtoi se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit.