Bashkëdrejtuesi i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) tha të dielën se Gjermania duhet të rishqyrtojë anëtarësimin e saj në NATO nëse aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA nuk merr parasysh interesat e të gjitha vendeve evropiane.
“Evropa është detyruar të zbatojë interesat e Amerikës. Ne e refuzojmë këtë”, citohet të ketë thënë për të përditshmen gjermane Welt, Tino Chrupalla i AfD, përcjell Telegrafi.
“NATO aktualisht nuk është një aleancë mbrojtëse. Një komunitet i mbrojtjes duhet të pranojë dhe respektojë interesat e të gjitha vendeve evropiane – përfshirë interesat e Rusisë”, mendon Chrupalla.
“Nëse NATO nuk mund ta sigurojë këtë, Gjermania duhet të marrë parasysh se deri në çfarë mase kjo aleancë është ende e dobishme për ne”, ka shtuar ai.
Partia e ekstremit të djathtë ka qenë një kritike e zëshme e mbështetjes ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën dhe ka argumentuar për një fund të shpejtë të luftës së shkaktuar nga pushtimi i plotë i filluar nga Rusia në vitin 2022.
“Qeveria gjermane më në fund duhet të arrijë në pikën që të dëshirojë t’i japë fund luftës”, ka thënë më tej Chrupalla, kolegia e të cilit Alice Weidel do të udhëheqë AfD-në në zgjedhje si kandidate e partisë për kancelar. /Telegrafi