Udhëheqësi i rebelëve në Siri thotë se Izraeli i ka kaluar linjat e angazhimit me veprimet e tij ushtarake brenda vendit pas përmbysjes së regjimit të Asadit.

Ushtria izraelite i zhvendosi trupat e saj në një zonë të çmilitarizuar brenda Sirisë pasi grupi Hayat Tahrir al Sham (HTS) hoqi Bashar al Asadin nga pushteti javën e kaluar, shkruan Sky News.

Ajo thotë se arsyetimi i saj për ta bërë këtë është të garantojë sigurinë kufitare për qytetarët e saj që jetojnë në zonën e pushtuar të Lartësive të Golanit.

Por udhëheqësi i HTS Abu Mohammed al Jolani deklaroi se argumentet e Izraelit ” janë bërë të dobëta dhe nuk justifikojnë më shkeljet e tyre të fundit”.

“Izraelitët i kanë kaluar qartazi kufijtë e angazhimit në Siri, gjë që paraqet një kërcënim të përshkallëzimit të pajustifikuar në rajon”, tha ai.