Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës dhe normalisht një shtyllë stabiliteti, po përballet me zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm, pasi kancelari Olaf Scholz humbi një votë besimi në Bundestag (Parlamenti gjerman).

Sipas mediave të huaja, Qeveria e tij ra në nëntor, pas një mosmarrëveshjeje buxhetore, por koalicioni i tij kishte qenë i paqëndrueshëm për muaj të tërë.

Scholz humbi votbesimin, të cilin ai e cilësoi vetëm si një hap drejt sigurimit të zgjedhjeve të parakohshme kombëtare, me 394 vota kundër tij, 207 pro dhe 116 abstenime.

Data e zgjedhjeve në Gjermani është caktuar për në 23 shkurt të vitit të ardhshëm.

Do të jenë shtatë parti të mëdha për të cilat do të votojnë gjermanët. Katër nga shtatë prej tyre kanë bërë njoftime zyrtare për Kanzlerkandidaten e tyre, kandidatë për kancelar.

Dy partitë gjithmonë prezente të politikës gjermane, Kristian Demokratët (CDU) dhe Unioni Kristian Social (CSU), i njohur jozyrtarisht si Unioni, përbëjnë një grupim. Social Demokratët, ose SPD, formojnë një grupim tjetër.

Duke pasur parasysh sistemin gjerman të përfaqësimit proporcional, qeveria tenton të formohet në një koalicion, i kryesuar zakonisht nga CDU/CSU ose SPD. Fituesi kërkon një partner për të formuar shumicën.