Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë në lidhje me ftesën e bërë nga Prokuroria Speciale, ku ai është thirrur në cilësinë e dëshmitarit.

Pas pjesëmarrjes në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën 1945-1999”, Kurti u përgjigj shkurt para gazetarëve.

“Do të shkoj në orën 19:30 në një koncert në Sallën e Kuqe”.

Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Speciale kishte pritur që kryeministri të paraqitej për të dëshmuar, por zyra e kryeministrit njoftoi se Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk mund të jetë i pranishëm.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se kryeministri është i gatshëm të mirëpresë prokurorët në zyrën e tij në një datë dhe orë që do të dakordohet nga të dyja palët, për të përmbushur kërkesën e Prokurorisë.

Ndërkaq, më herët, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati Besnik Berisha, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

“Çka nëse u them se kryeministri Kurti sapo e kreu intervistën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, a ma besoni a jo?”.

“Nejse, mos i ngjitni fjalë djalit se me sytë e mi e pashë. Institucionalist se ç’ke me të”, shkroi ai në një postim në Facebook./Telegrafi