Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 22 dhjetor 2023, janë aprovuar 58,597 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

Ai tha se “procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës ka vazhduar pa pengesa që nga 29 gushti, dhe deri më tani janë bërë 116 ditë.”

“Përdoruesit e platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org kanë mundësinë të regjistrohen pa vështirësi,” theksoi zëdhënësi i KQZ-së.

Ai gjithashtu shtoi se 3,743 kërkesa janë refuzuar, dhe theksoi se në shumicën e rasteve të refuzuara “aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”.

Elezi njoftoi se KQZ ka informuar individualisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit dhe mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim.

“KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së,” theksoi ai për RTK-në.

Elezi gjithashtu shpjegoi se ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka ofruar shtetasve të Kosovës jashtë vendit tri mundësi për të votuar.

“Në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës,” sqaroi ai.

Nga 58,597 aplikime të aprovuara, 14,071 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 9,167 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 35,359 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen jashtë Kosovës në shtete të ndryshme.