Redaktori i televizionit BBC për Rusinë, Steve Rosenberg, e ka sfiduar me një pyetje të drejtpërdrejtë presidentin rus, Vladimir Putin, i cili s’u durua pa e vajtuar përsëri bombardimin e Beogradit nga NATO-ja gjatë luftës në Kosovë.

Kreu i Kremlinit pranoi pyetje nga gazetarët të enjten. Kur iu dha fjala, para se Rosenbergu ta fillonte pyetjen, Putini u përkujdes që ta ngacmonte me fjalë atë dhe televizionin britanik.

“Po, i premtova BBC-së [se do t’ia jap fjalën]. Ju lutem” – tha presidenti rus.

“Ata premtuan se do të na sulmojnë” – i tha moderatorja e konferencës Putinit.

“Po, ju premtuat se do të na sulmoni. Mendoj se ata me gëzim do të na sulmonin edhe pa premtim, është puna e tyre, mbi të gjitha. Për këtë paguhen” – tha me shpoti presidenti rus.

Më në fund, iu la radha gazetarit të BBC-së për ta shtruar pyetjen. Ai iu drejtua Putinit në gjuhën ruse.

“Steve Rosenberg, BBC News. Saktësisht 25 vjet më parë, Boris Jelcini dha dorëheqje, jua dorëzoi juve pushtetin dhe ju tha që të përkujdeseshit për Rusinë. Rreth 25 vjet më pas, a mendoni se jeni përkujdesur për Rusinë? Sepse, nëse shikojmë, çfarë shohim? Shohim humbje thelbësore në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” që ju e keni shpallur. Shohim ushtarë ukrainas në rajonin [rus] të Kurskut. Ju e kritikoni zgjerimin e NATO-s, por tani ka më shumë NATO në kufijtë e Rusisë: Suedia, Finlanda. Sanksione, inflacion i lartë, probleme demografike. A mendoni se jeni përkujdesur për vendin tuaj” – e pyeti drejtpërdrejt Putinin redaktori i televizionit publik britanik.

Putini u përgjigj: “Po, dhe mendoj se jo vetëm që jam përkujdesur për të [Rusinë], mendoj se jemi larguar nga skaji i humnerës, sepse gjithçka që ishte duke i ndodhur Rusisë para kësaj, ne ishim nisur drejt një humbjeje të plotë, totale të sovranitetit tonë. E pa sovranitet, Rusia nuk mund të ekzistojë si shtet i pavarur. Më lejoni që ta tërheq vëmendjen tuaj tek ajo që e thatë për Boris Jelcinin. Gjithçka ishte në rregull, ata me patronizëm ia rrihnin krahun. I mbyllnin sytë, kur ai dehej. Ai ishte i mirëpritur në të gjitha qarqet perëndimore.”

“Në sekondën kur ai e ngriti zërin në mbështetje të Jugosllavisë, në momentin kur tha se kjo bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kartën e OKB-së, porsa tha se ishte e papranueshme në Evropën moderne që të bombardohej Beogradi, një kryeqytet evropian, pa sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ata menjëherë filluan që ta sulmonin, t’i vendosnin emra, të thoshin se është i dehur e kështu me radhë. A ju kujtohet kjo” – e pyeti presidenti rus Rosenbergun.

Duke u kthyer në thelbin e pyetjes së gazetarit, presidenti rus vazhdoi: “Unë kam bërë gjithçka në mënyrë që Rusia të mund të jetë një shtet i pavarur e sovran që është në gjendje për të marrë vendime sipas interesave të veta, jo sipas interesave të shteteve që po e tërhiqnin atë drejt tyre, duke ta rrahur krahun në mënyrë që të mund të t’përdorin për qëllimet e tyre.”

Më pas, Putini foli edhe për inflacionin, duke pretenduar se Rusia ka rritje ekonomike. “E përmendët inflacionin. Po, ka inflacion, ne do ta luftojmë atë, por kemi rritje ekonomike. Renditemi të katërtit në botë në aspektin e barazisë së fuqisë blerëse. Ju lutem, tregojani këtë lexuesve tuaj. E para [Rusia] në Evropë, dukshëm para Britanisë së Madhe. Nuk mendoj që Britania e Madhe është as në pesëshen e parë. Ne jemi të përgatitur për të punuar me Britaninë e Madhe, nëse Britania e Madhe dëshiron të punojë me ne. Por nëse kjo nuk ndodh, ne do t’ia dalim pa ish-aleatët tanë në koalicionin kundër Hitlerit” – tha Putini./Nacionale