Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar ankesën e Listës Serbe lidhur me moscertifikimin e saj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Në vendimin e publikuar nga PZAP-ja, thuhet se njoftimi i KQZ-së për moscertifikimin është anuluar, duke u argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat përkatëse të KQZ-së.

Gjithashtu, PZAP-ja thekson se gjatë votimit në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

Në përfundim, PZAP-ja ka urdhëruar KQZ-në që të zbatojë vendimin dhe të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.