Një avion luftarak kinez me rreze jashtëzakonisht të gjatë ka shkaktuar shumë spekulime pas fluturimit të tij të parë. Avioni, që është cilësuar si një “armë super e fshehtë”, është parë duke fluturuar mbi Kinë, dhe ekspertët shprehen se mund të shënojë një zhvillim të ri të jashtëzakonshëm në fushën e aviacionit luftarak kinez.

Sipas një raporti të faqes “The War Zone”, ky avion ka aftësi të jashtëzakonshme dhe është projektuar për të goditur avionët që deri tani ishin cilësuar si të paarritshëm amerikanë. Avioni ka aftësinë për të fluturuar në distanca të mëdha, pa pasur nevojë për mbushje me karburant, një kapacitet që Kina nuk e ka aktualisht në krahasim me Shtetet e Bashkuara.

Avioni i ri u pa gjatë një testi, i shoqëruar nga një Chengdu J-20, një avion luftarak i gjeneratës aktuale i krahasueshëm me F-22 të Forcës Ajrore të SHBA. Në pamjet e shfaqura në rrjetet sociale, avioni kishte tre motorë dhe një dizajn “diamanti”, duke rritur mundësinë e shmangies së radarëve, shkruan A2.

Ekspertët theksojnë se avioni do të sjellë një përparim të rëndësishëm në aftësitë taktike ajrore të Kinës.