Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se nga fillimi i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, Kosova shprehu solidaritet me popullin ukrainas.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit për vitin 2024 ka marrë vendim që t’i shtojë sanksionet ndaj Rusisë.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zv.ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se nga fillimi i agresionit luftarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, Kosova shprehu solidaritet me popullin ukrainas.

“Në përputhje me pakon e re të 14-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë të datës 24 qershor dhe në përgjigje të vazhdimit të agresionit rus, është e domosdoshme që Kosova të aprovojë propozimin e ri për masa shtesë”, theksoi Gashi.

Sanksionet, sipas zv.ministres. përfshijnë zgjerimin e listës së personave/entiteteve të sanksionuar me individë apo organizata të reja të ndërlidhura me aktivitetet ushtarake të Rusisë; kufizime të reja sikurse ndalimi i eksporteve të teknologjisë së avancuar dhe mallrave që kanë impakt në kapacitetet industriale dhe ushtarake të Rusisë, si dhe ndalimi i importeve.

Gjithashtu sanksionet përfshijnë edhe sektorin e gazit të lëngshëm natyror, me masë kundër 50 anijeve që Rusia i përdorë për të anashkaluar kufizimet në transportin e naftës dhe karburanteve.

“Duke miratuar këto masa, vendi ynë konfirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe rendit ndërkombëtar si një partner i besueshëm në përpjekje të botës së lirë, për të ndaluar agresionin rus”, shtoi Gashi, para votimit unanim të kabinetit qeveritar.