Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mbajtur fjalim në tubimin elektoral të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Podujevës, duke thënë se regjimi i vjetër politik po duan të iu vendosin pengesa subjektit të tyre, pasi sipas saj ata po shpifin dhe po sulmojnë ndaj tyre edhe me anë të analistëve.

“Këta që i kemi përballë këta regjimi i vjetër, klubi i stërvjetëruar politikë e i korruptuar, këta që ia keni dhënë mësimin ju këtu në Llap, po duan të na vendosin pengesa në çdo hap. Po shpifin e po sulmojnë, ata janë bërë bashkë me këta analistët që i përmenda”, ka thënë ministrja Haxhiu në tubimin elektoral të mbajtur në Podujevë.

Ministrja Haxhiu, tutje foli edhe për rëndësinë e rolit të gruas në vendin tonë, duke thënë se do të kenë mbështetjen e tyre në çdo sfidë kolektive e shoqërore.

“Shprehja e drejtësisë shoqërore është mbështetja e parezervë për ju. Ne do ta bëjmë realitet së bashku që vajzat dhe gratë të jenë të jenë të mbështetura në çdo hap të tyre. Në shkollim, në punë, si nëna, si profesioniste, si artiste, si sportiste, si ushtarake, si police. E shpallëm vitin 2025 vitin e gruas, ndaj zotohemi para jush se do të na keni krahë në çdo sfidë kolektive e shoqërore.”, tha ndër të tjera ministrja Haxhiu në fjalimin e saj të mbajtur në tubimin elektoral, në Komunën e Podujevës./kosovanews.net