Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë nën dyshimin për përfshirje në ryshfet lidhur me testin e vozitjes për kategorinë B, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas raportit zyrtar, një instruktor i një autoshkolle private dyshohet se ka pranuar ryshfet nga një kandidat me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim.

Gjatë hetimeve, Policia ka sekuestruar si prova materiale shumën prej 600 eurosh dhe dy telefona celularë.

” Mitrovicë / 15.01.2025. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar për shkak të dyshimit se njëri prej tyre në cilësi të instruktorit të vozitjes në një autoshkollë private ka pranuar nga i dyshuari tjetër para me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600€ (6X100) para të gatshme dhe dy telefona celularë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.