John Ratcliffe, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA, u tha senatorëve gjatës seancës së konfirmimit të mërkurën, se agjencia kryesore e spiunazhit duhet të bëjë një punë më të mirë për t’u dalë përpara kërcënimeve globale që vijnë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera kundërshtare.

Ish Drejtor i Zbulimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ish ligjvënësi John Ratcliffe, u tha senatorëve se nëse konfirmohet në postin e drejtorit të CIA-s, agjencia e zbulimit do të bënte më shumë për të shfrytëzuar teknologji si inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë ndërsa do të zgjeronte aftësitë e agjencisë për të mbledhur më shumë të dhëna nga burimet njerëzore.

“Ne nuk jemi aty ku supozohet të jemi”, i tha zoti Ratcliffe Komisionit të Senatit për Zbulimin.

Zoti Ratcliffe tha se ai e sheh Kinën si rivalin më të madh gjeopolitik të Amerikës, me Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe kartelet e drogës, bandat e hakerave dhe organizatat terroriste që paraqesin gjithashtu sfida për sigurinë kombëtare.

Ndërsa ligjvënësit republikanë e vlerësuan përvojën e zotit Ratcliffe, demokratët dhe një senator i pavarur u shprehën me tone skepticizmi. Ata e pyetën zotin Ratcliffe nëse besnikëria e tij ndaj zotit Trump do të binte ndesh me detyrat e tij për të ndjekur të dhënat e zbulimit pavarësisht se ku e çojnë. Zoti Ratcliffe i siguroi ligjvënësit se misioni i CIA-s do të ishte në plan të parë.

“A do të impononi ju ose ndonjë nga stafi juaj një provë lakmusi politik për punonjësit e CIA-s?”, shtroi pyetjen Senatori i pavarur Angus King, i cili përfaqëson shtetin Mein. “Jo”, ishte përgjigja e zotit Ratcliffe.

Zoti Ratcliffe u tha ligjvënësve se ai e mbështet Ligjin për Përgjimet e Zbulimit të Jashtëm, si një program që i lejon autoritetet të mbledhin të dhëna zbulimi të komunikimeve të jo-amerikanëve që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara. Nëse këta individë komunikojnë me amerikanët, bisedat e regjistruara mund të fshihen, një fakt që ka ngritur pikëpyetje lidhur me shkeljen e të drejtave personale.

Zoti Ratcliffe tha se rregullat në fuqi janë hartuar për të siguruar mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve. Nuk është i përkryer, tha zoti Ratcliffe për ligjin por: “Është kritik dhe i domosdoshëm”, shkruan euronews.al.Një ish prokuror federal, zoti Ratcliffe ka shërbyer gjithashtu në Kongresin amerikan si përfaqësues i një zone të Teksasit. Ai ishte një mbrojtës i ashpër i Presidentit Trump gjatë procedurave të para për hapjen e procesit të shkarkimit të tij në Dhomën e Përfaqësuesve.