Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram – publikohet fotografia e Gjestit

Pas sulmit kibernetik ndaj faqes zyrtare të Lojërave Olimpike, tashmë janë hakuar edhe faqet zyrtare të Bloomberg Business në Facebook dhe Instagram.

Në këto platforma është publikuar fotografia e konkurrentit të Big Brother VIP Albania, i njohur si Gjesti, e shoqëruar me hashtagun #MeGjestin.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, publikoi një screenshot të postimit në llogarinë e tij në X( ish- Twitter), duke shkruar se kishte ngelur i habitur me të parë këtë postim në Instagram.

“Llogaria zyrtare e Bloomberg Business në Instagram postoi një foto të konkurrentit kontrovers të Big Brother VIP Albania, Gjesti, me hashtagun #MeGjestin. Arrita të bëj një screenshot përpara se postimi të fshihej. Gjëra të çuditshme. Ndoshta një hakim, por gjithsesi shumë qesharake”, shkroi ai.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Facebook, ku fotografia e Gjestit u publikua për pak minuta para se të hiqej. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga Bloomberg, por dyshohet se këto incidente janë rezultat i një sulmi kibernetik.

Foto: Bloomberg/Screenshot/Facebook

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit shprehen të habitur dhe njëkohësisht të argëtuar nga situata. Pritet një reagim nga Bloomberg për të sqaruar rrethanat e këtij hakimi të pazakontë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *