Ramush e Daut Haradinaj i kundërpërgjigjen Gërvallës: “Kuptohet nervoza e saj sepse ja kemi “prish” matematikat..”

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk u kursye aspak ndaj sulmeve e akuzave të saj drejtuar kandidatit për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj edhe në vendlindjen e tij.

Ajo në një tubim elektoral të koalicionit LVV-Guxo në Deçan, zgjodhi të flas ndaj kreut të AAK-së, duke e quajtur atë “gjeneral të vetëshpallur”, shkruan lajmi.net.

“Ju e njihni të ashtuquajturin hero të Çakorrit që ju premton anëtarësim të NATO-s për tre muaj madje. Vëllezër, Kosova në NATO nuk hyn as me gjeneralë të vetëshpallur e as me katër milionë euro buxhet në vit për ushtri siç ishte më parë.  Ende pa i fshirë fotografitë me Radojçiqin, thotë që kryeministri dhe qeveria e juaj qenka bashkëpunëtore e Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mposhti në Banjskë, ia shkatërroi bandat, ia konfiskoi pasurinë marramendëse e dëboi nga Kosova, dhe e izoloi përgjithmonë në Serbi”, tha ajo në Deçan.

Mirëpo për këtë deklaratë të ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë folur sot Ramush dhe Daut Haradinaj.

Sipas tyre ky reagim i saj vjen pasi kandidati nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka arritur të ja heq maskën kryeministrit Albin Kurti.

Ndryshe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj ka thënë se ndihet i respektuar për pozitën që ka pasi thotë se ai mban dy grada njërën të dhuruar nga Ushtria  Çlirimitare e Kosovës (UÇK), e tjetrën nga NATO-ja, për kontributin e dhënë.

“Ja kum hek maskën shefit të saj edhe qeben bile, e kuptohet që janë nervoz edhe matematikat ja kum prish, po met thanë drejtën të parën grad e kam nga UÇK-ja, që është nder për mu, e të dytën e kam nga NATO bile konkretisht nga një gjeneral që është gjerman Kllaus Reinhard që është njeri shumë i respektueshëm në NATO, pikërisht ku ka lindur kjo zonja”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Ndryshe për këtë ka folur edhe Daut Haradinaj, i cili tha se nuk do të komentonte për këtë situatë sepse po i jepet peshë dhe rëndësi shumë personave.

Sipas tij të gjithë në rajonin e Deçanit e njohin të kaluarën e Ramush Haradinaj.

“Ma shumë m’dhimen ata njerz që e përjetojnë rënd gjuhën e saj është një kategori e njerzve të sakrificës në Dukagjin që e njohin edhe Ramushin edhe të kalunën e Ramushitt edhe po shihet në bazë të reagimeve të përgjithshme që ma shumë e kanë përjetu ata nuk mendoj që na duhet me komentu shumë sepse ndoshta edhe po i japim peshë pa pas nevoj por gjithsesi i bëjë thirrje për me pas kujdes në fjalor për shkak se boll është boll, ajo gjuha e spikerices  nuk po i ka hije”, ka thënë Daut Haradinaj.