Petkoviq me akuza për ambasadorin Rohde! “Ai po e luan rolin e zëdhënësit të Kurtit”

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka kritikuar ashpër ambasadorin gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke e akuzuar për “kapërcim të kornizave diplomatike” dhe mbështetje të hapur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Petkoviqit, Rohde ka shfaqur njëanshmëri të qartë duke përsëritur “dezinformatat e Kurtit dhe duke injoruar faktet e dukshme në terren”.

Në një status në Facebook të martën, Petkoviqi ka thënë se shefi i Qeverisë së Kosovës është i shqetësuar nga fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet e fundit dhe se do të preferonte që në Kuvend të ishte më i fuqishëm ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqi.

“Na habit fakti që përfaqësuesi gjerman nuk i fsheh të preferuarit e tij dhe as armiqësinë ndaj Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi dhe përfaqëson interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, u shpreh Petkoviq, sipas njoftimit.

Ai gjithashtu kritikoi mungesën e reagimit të diplomatit gjerman ndaj “provokimeve” me flamuj shqiptarë në qendër të Mitrovicës të Veriut gjatë festës së 17 Shkurtit dhe mbështetjen e hapur të Kurtit për protestat studentore në Beograd.

“Është e qartë se kush ishin favoritët e Rohdet në zgjedhjet e fundit, por serbët dhanë mesazhin e tyre përmes mbështetjes së Listës Serbe”, përfundoi Petkoviq.

Loading...

Lista Serbe është rrugës që për herë të parë të humbë një ulëse nga 10 të garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Partia e Rashiqit, që shërbeu si ministër gjatë Qeveris Kurti, ka siguruar një mandat.