Kuvendi i Republikës Srpska sfidon Federalizmin në Bosnje! Aprovon ligje të reja për moszbatim të vendimeve federale

Në një seancë urgjente të Kuvendit të Republikës Srpska (RS), janë miratuar disa projektligje që synojnë moszbatimin e legjislacionit të Bosnjë-Hercegovinës në territorin e këtij entiteti.

Këto ligje prekin institucione kyçe si Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, Zyra e Prokurorit të Shtetit, Agjencia e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (KLGJP). Zbatimi i tyre në territorin e RS-së tani është i ndaluar, një veprim që, sipas analistëve politikë dhe mediave lokale, përbën një sfidë serioze ndaj rendit kushtetues të shtetit boshnjak.

Projektligji u miratua me 49 vota pro dhe tre kundër, ndërsa në të njëjtën seancë u miratuan edhe ndryshimet në Kodin Penal të RS-së si dhe projektligji për regjistrin e organizatave jofitimprurëse, të dyja me procedurë urgjente.

Ligjet e miratuara vijnë në një kohë tensioni të lartë, pasi vetëm pak ditë më parë, presidenti i RS-së, Milorad Dodik, u dënua me një vit burg nga Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, duke iu ndaluar gjithashtu mbajtja e funksioneve publike për gjashtë vjet.

Ministrja e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale e RS-së, Senka Jujiq, argumentoi se këto ligje synojnë përjashtimin e juridiksionit të institucioneve shtetërore boshnjake mbi RS-në, një hap që konsiderohet si një përpjekje për autonomi më të madhe nga ky entitet.

Ndërkohë, disa deputetë kanë paralajmëruar se miratimi i këtyre ligjeve mund të çojë në ndjekje penale për deputetët dhe autorët e tyre, pasi mund të interpretohen si sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.

Loading...

Ky zhvillim pritet të thellojë edhe më tej përplasjet mes qeverisë qendrore dhe udhëheqjes së RS-së, duke rritur rrezikun për një krizë politike dhe institucionale në vend.