E dyshuara për spiunazh Jelena Gjukanoviq është sjellë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ku pritet të fillojë së shpejti seanca dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë. Brenda gjykatës kanë hyrë edhe prokurori special Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i të dyshuarës Gjukanoviq, avokati Predrag Milkoviq.
Gjukanoviq u arrestua në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin për spiunazh më 28 shkurt.
Ajo ishte ndaluar për 48 orë. U krye edhe bastisje në banesën e të dyshuarës.Prokuroria kishte njoftuar se arrestimi është bërë pas hetimeve disamujore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, u tha nga Prokuroria Speciale.