Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po konsideron ta vendosë Richard Grenellin, ish-shefin e tij të inteligjencës, si të dërguar special për luftën Rusi – Ukrainë, ka raportuar Reuters me burime.

Grenell, i cili shërbeu si ambasador në Gjermani dhe ishte ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, do të luante rol kyç në përpjekjet e Trumpit për të ndalur luftën nëse zgjidhet përfundimisht për këtë post.

Ndërsa aktualisht nuk ka asnjë të dërguar special për zgjidhjen e luftës Rusi-Ukrainë, Trumpi po konsideron krijimin e këtij posti – edhe pse ende nuk ka vendim përfundimtar.

Trumpi u zotua gjatë fushatës për t’i dhënë fund luftës me shpejtësi, megjithëse nuk ka treguar se si do ta bëjë këtë.

Disa nga qëndrimet e Grenellit padyshim që trondisin liderët e Ukrainës.

Gjatë një tryeze në korrik, Grenelli mbrojti krijimin e “zonave autonome” si mjet për zgjidhjen e luftës, e cila filloi në shkurt 2022 kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.  Ai gjithashtu sugjeroi se anëtarësimi në NATO në të ardhmen e afërt nuk do të ishte në favor të Kievit, një qëndrim që e kanë pothuajse shumë aleatë të Trumpit.

Mbështetësit e Grenellit theksojnë se ai ka pasur karrierë të gjatë diplomatike dhe ka njohuri të madhe për çështjet evropiane. Përveç shërbimit si ambasador në Gjermani, Grenell ishte gjithashtu i dërguar special për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga zyra e Trumpit nuk janë përgjigjur nëse Grenelli do të emërohet në këtë post. As vetë Grenell nuk ka komentuar.

Grenell, i cili bëri fushatë për Trumpin në zgjedhjet e 5 nëntorit, ishte pretendent kryesor për të qenë sekretar i shtetit.

Por në fund, Trumpi vendosi për Marco Rubion, lëvizje që befasoi dhe mërziti aleatët e ngushtë të Grenellit.