Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot (e shtunë) gjatë ditës një takim me ish-kapitenin e kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana.

Këtë e bëri të ditur vet Kurti përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku bëri me dije se me Canën u takuan për të diskutuar në lidhje me punët që janë bërë në sport.

Kurti njëherësh përmendi Canën për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare që ka bërë ai në klubet ku ka luajtur gjatë karrierës së tij.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

“Me Lorikun herën e fundit u patëm takuar këtë verë gjatë Kampionatit Europian të futbollit në Gjermani, në mbështetje të kombëtares shqiptare”.

“Para pak ditësh, në Tiranë ai shfaqi dokumentarin për arbëreshët e Italisë. Shkëlqimi i tij në fushën e gjelbër si kapiteni ikonik i Shqipërisë, vazhdon me punët e mira që Loriku bën për promovimin e kulturës kombëtare shqiptare”.

“Sot u pamë për të diskutuar mbi punët e mira që po bëjmë në sport. Në veçanti, vlerësuam rëndësinë e masivizimit të sportit e aktivitetit fizik, për t’i bërë pjesë të kulturës së përgjithshme të shoqërisë”.

“Përherë kënaqësi biseda me Lorik Canën, djaloshin nga Gjakova që ka meritë të madhe në mirëmbajtjen e frymës së atdhedashurisë”, ka shkruar Kurti në Facebook./Telegrafi