Dhjetëra raste të vetëlëndimeve të fëmijëve në Kosovë, nga të ashtuquajturat sfida në TikTok, vetëm këtë vit.

Prindërit janë nën ethe. Fëmijët, në anën tjetër, kureshtarë për të zbuluar çfarë ka brenda platformës.

Psikologët ngrenë alarmin se varësia ndaj rrjeteve sociale është e njëjtë sikurse ajo me alkoolin dhe me drogat.

Shtetet duket se nuk e kanë gjetur një zgjidhje ideale që rehaton të gjitha palët.

Dhjetëra prej tyre akuzojnë platformën se ka lidhje direkte me shtetin e Kinës, andaj kanë shqetësime të mëdha për privatësinë.

Për çfarë sfidash bëhet fjalë?

Të llojllojshme dhe që marrin hov njëra pas tjetrës. Nisur nga konsumimi i substancave të ndryshme – që i ka kushtuar me jetë një vajze të re në Shtetet e Bashkuara muaj më parë – e deri te lojërat fizike që rezultojnë me fraktura apo lëndime tjera të gjymtyrëve e të kokës.

Vetëm në Shkup është raportuar për 11 fëmijë të lënduar nga një sfidë e ngjashme e imitimit të hedhjes në det, në të cilën përfshihen dy fëmijë kapur për duarsh që e gjuajnë të tretin në ajër, i cili më pas rrëzohet në sipërfaqe të fortë.

Edhe në Bosnje e Hercegovinë, të paktën tetë fëmijë kanë mbetur të lënduar si pasojë e kësaj sfide.

Raste të vetëlëndimeve të të rinjve, të motivuara nga TikTok-u, janë raportuar shpesh edhe në Kosovë.

Mënyra e funksionimit të kësaj platforme kineze të videove të shkurtra – e lansuar më 2016 dhe e zotëruar nga kompania kineze, ByteDance – është, gjithashtu, problematike.

Për dallim prej algoritmeve të rrjeteve tjera sociale, algoritmi i TikTok-ut i jep më shumë prioritet përmbajtjes, varësisht prej preferencave të përdoruesve dhe kërkimit të përmbajtjes, sesa numrit të ndjekësve që ka një llogari.

Pra, edhe nëse është e re dhe ka pak ndjekës, një llogari në TikTok mund të bëhet virale.

Sipas një analize të agjencisë Pikasa Analytics, që bën monitorimin e përmbajtjes së mediave në Ballkan, postimet e personave “të panjohur” po bëhen më të popullarizuara, sesa ato të figurave me ndikim.

Simptomat e varësisë

Psikologu klinik, Naim Telaku, i ka parë me sytë e tij rastet e varësisë së fëmijëve nga rrjetet sociale në Kosovë.

Ai citon hulumtime të besueshme kur thotë se 20 për qind e popullsisë botërore ka krijuar varësi nga rrjetet sociale, dhe paralajmëron se shifra mund të rritet shpejt.

“Mund të them nga përvoja ime klinike se përherë e më shumë kemi prindër, të cilët tregojnë që kur provojnë që fëmijëve të tyre t’ua largojnë telefonin, qoftë edhe për disa orë, atëherë pothuajse me automatizëm fëmijët kalojnë në shpërthime të inateve, në reagime shumë agresive, dhe në pamundësi për të gjetur një mirëkuptim në mes të prindërve dhe fëmijëve për përdorim të telefonit dhe rrjeteve sociale”.

Çfarë është varësia?

Varësia definohet si çrregullim neuropsikologjik dhe karakterizohet me nevojë të vazhdueshme dhe intensive për të përdorur ndonjë substancë apo për t’u përfshirë në një sjellje që rezulton me shpërblim, pavarësisht dëmit dhe pasojave tjera në periudhë afatgjatë.

Telaku përmend për Radion Evropa e Lirë, disa prej pasojave më të mëdha të përdorimit të tepruar të telefonave nga fëmijët, duke përfshirë:

Uljen e performancës akademike

Telashet me gjumin dhe telashe të tjera shëndetësore

Gjendjen e vazhdueshme të ankthit

Ndjenjën e izolimit, që i shtyn më pas të rinjtë të marrin pjesë në trendë të rrezikshëm, me qëllim të pranimit social.

Sipas tij, periudha më kritike për t’u përballur me varësinë prej platformave sociale është prej moshës 8 deri në moshën 20-vjeçare.

Si ndikon kjo lloj varësie në formimin e një fëmije?

Telaku thotë se ndikimi është i shumanshëm.

“Fillimisht ndikimi është edhe fizik, në kuptimin e zhvillimit të sistemit nervor dhe të trurit. Truri i një fëmije duhet të zhvillohet në një mjedis social, duhet të zhvillohet në veprimtari të qëndrueshme, siç është leximi i librave, kryerja e detyrave. Varësia nga teknologjia bën që fëmijët në çdo sekondë, çdo disa sekonda, të marrin një shpërblim të dopaminës në trurin e tyre, që nënkupton se vëmendja e tyre po trajnohet që të jetë e qëndrueshme vetëm për disa sekonda”.

Çfarë thonë prindërit?

Nexhmi Hoxha, nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë, kërkon nga autoritetet bllokimin e përdorimit të platformave si TikTok apo Snapchat.

Ndonëse nxënësve u ndalohet përdorimi i telefonave në institucionet edukative parauniversitare, nëpër platforma sociale ka mjaftueshëm incizime që bëhen në ambiente shkollore.

“Edhe ne, si prindër, nuk mund t’ua lëmë fajin vetëm shkollave, mirëpo ne kemi kërkuar nga shkollat që, qysh në momentin e parë që vërehet një dukuri e tillë, vërehet një iniciativë e lojërave të tilla, mësimdhënës, kujdestarë, menaxhmenti i shkollës, drejtorët, stafi, të marrin masa të menjëhershme. Të komunikohet me prindin, me Qendrën për Punë Sociale, me policinë, të merren masa dhe të izolohen rastet”.

Hoxha ka thënë për REL-in se jo rrallëherë konfliktet që kanë krijuar fëmijët mes vete në ambientet shkollore, janë bartur edhe te prindërit e tyre.

“Konflikt ka kaluar edhe në familje, dhe është dashur të ndërhyjmë jo vetëm ne si prindër, por edhe Policia, dhe organet tjera, për të ndërprerë konflikte të mëdha familjare”.

Ai ka përmendur që prindërit janë duke bërë përpjekje që t’i monitorojnë fëmijët e tyre përmes shërbimeve online, sikurse Google Family Link.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë ka shprehur shqetësim për rastet e lëndimeve të nxënësve nga përfshirja në lojëra të rrezikshme online, dhe ka bërë thirrje që “rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi”.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, MASHTI ka përmendur një pako udhëzuesish – “Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzues për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër) – në të cilët ka thënë se ofrohen alternativa për përdorimin e internetit në mënyrë të dobishme dhe të përgjegjshme.

Udhëzuesit janë hartuar shtatë vjet më parë, më 2017.

“Dieta sociale”

Telaku porosit që rutina e fëmijëve të mos ndryshojë menjëherë në mënyrë ekstreme, nga 24 orë para telefonit, në zero, por që të ketë ndryshim gradual.

Ai e përkrah idenë e ndalimit të platformave sikurse TikTok, sidomos për të rinjtë.

“Duhet të kemi një kombinim të masave. Duhet të kemi kufizim brenda ditës. Nuk ka pikë dyshimi që është e dëmshme në secilin aspekt, në shëndetin mendor, nëse fëmija ka qasje 24 orë në ditë në telefon. Nuk duhet të ketë. Sa më e vogël mosha, aq më e shkurtër duhet të jetë qasja në teknologji dhe në telefon. Mund edhe të gjendet një kompromis familjar që qasja në telefon të ndalohet për gjithë familjen”.

Ai e konsideron kyç moderimin e përmbajtjes së cilës u ekspozohen fëmijët, komunikimin e prindërve me fëmijët për mënyrën se si ndikohen nga rrjetet sociale, se çka po i shqetëson, që i çon në sjelljet vetëlënduese, si dhe kultivimin e aktiviteteve që kompensojnë kohën në telefon.

“Kur individi ka një varësi nga çfarëdo qoftë, është e pamundur që vetëm të shuhet ajo sjellje. Ajo që funksionon në aspektin psikologjik është që të kemi një lloj zëvendësimi. Ky zëvendësim mund të bëhet në forma të ndryshme, shembull me dedikim në procesin mësimor, shkollor”.

Çfarë thonë fëmijët?

Me ta kanë biseduar përgjatë vitit pjesëtarë të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Save The Children.

Sipas një ankete të realizuar në periudhën maj-qershor 2024, me mbi 1.000 fëmijë të moshave 11-17 vjeç, shumica e tyre, apo 78 për qind, kanë deklaruar se bullizmi është shumë ose mesatarisht i pranishëm në shkolla dhe në TikTok, ndërsa rreth 57 për qind e kanë thënë të njëjtën për Snapchat-in.

Save The Children ka kërkuar siguri në internet dhe mekanizëm më të mirë mbrojtës për platformat, sikurse TikTok dhe Snapchat, duke i “angazhuar kompanitë e teknologjisë, prindërit dhe mësimdhënësit në këto përpjekje”.

A mund të bllokohet TikTok-u?

Nektar Qarri, drejtues i agjencisë That AD, që ofron shërbime të marketingut digjital në Kosovë, ka thënë se bllokimi i kësaj platforme, në aspektin teknik, mund të bëhet relativisht lehtë, por, sipas tij, nuk e zgjidh problemin.

“Mund të bllokohet si domen dhe si aplikacion, edhe pse ka forma të avancuara, që mund të aplikohen për hapje, por atë mund ta bëjë një masë shumë e vogël, njohës të kësaj fushe, por teknikisht është diçka që bëhet dhe është e lehtë”.

Megjithatë, në vend të mbylljes, ai sugjeron edukimin medial nëpër shkolla, për të mësuar më shumë për rrjete sociale dhe mediat tjera.

“Bartja e këtyre problemeve mund të ndodhë menjëherë në një platformë tjetër, të re apo ekzistuese. Pra, nuk e zgjidhim problemin në bazë, në thelb, por vetëm e ndalojmë një platformë dhe u japim mundësi tjerave”, ka thënë ai për REL-in.

Në Shqipëri është përmendur që autoritetet do të diskutojnë me prindërit nëse duhet vendosur filtra, apo duhet bllokuar tërësisht rrjetet sociale, TikTok dhe Snapchat, disa ditë pas vrasjes së një 14-vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij.

Sulmuesi është raportuar të ketë publikuar material të dhunshëm në TikTok pas vrasjes, dhe se ka marrë mbështetje nga ndjekësit e tij.

Australia ka shkuar një hap më tutje. Ky vend e ka miratuar një projektligj që do t’ua ndalojë fëmijëve nën moshën 16-vjeçare përdorimin e rrjeteve sociale.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë (REL) për të kuptuar nëse po e shqyrton mundësinë e bllokimit të platformës.

Por, komisionarja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë më 11 dhjetor në një intervistë për mediumin lokal Kohavision se agjencia që udhëheq ajo nuk ka kompetencë për bllokim të TikTok-ut në situatën aktuale, por që autoritetet e Kosovës kanë komunikim direkt me zyrtarë të këtij rrjti social lidhur me mënyrën e përpunimit të informacionit të shtetasve të Kosovës.

“Sfida kryesore është që Kosova nuk e ka domenin e saj zyrtar dhe ofruesit e shërbimeve të internetit në Kosovë janë të ndryshëm. TikTok-u, sikurse çdo platformë tjetër sociale, mundëson kyçje edhe nga jashtë territorit të Kosovës, që do të thotë se menjëherë del jashtë kompetencës së republikës tonë. Prandaj, nuk do të jetë lehtë e kontrollueshme”.

Kosova nuk ka domen – kod shtetëror në internet – dhe mungesa e tij është thënë shpesh se krijon probleme të mëdha për shtetin, bizneset dhe kompanitë që punojnë në sektorin e teknologjisë informative.

Ndalimi i Tiktok-ut në pajisje qeveritare

Në qershor të vitit 2024, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalim të përdorimit dhe funksionimit të TikTok-ut në institucionet shtetërore të vendit.

Ndalimi ishte arsyetuar për rreziqet kibernetike që paraqet platforma.

Në këtë rast, Kosova e ka ndjekur shembullin e disa vendeve tjera. Të paktën 16 shtete, shumica prej tyre në Evropë, e kanë të ndaluar instalimin e TikTok-ut në telefonat e punës.

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, punëtorëve federalë u është ndaluar instalimi i aplikacionit në pajisje të punës.

Zyrtarët shtetërorë amerikanë kanë thënë se kështu mbrojnë shtetasit e tyre prej pasojave negative, sikurse abuzimi me të dhëna (sepse aludojnë që shteti kinez mund të qaset në to), “propagandat e armikut”, si dhe dëmi moral dhe psikologjik.

Aktualisht, TikTok-u është i përfshirë në një proces të madh gjyqësor, sepse po kundërshton kërkesat e autoriteteve amerikane për shitje të një pjese të kompanisë, në të kundërtën rrezikohet nga bllokim i plotë në ShBA. /REL