Grupi militant ujgur që ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri është zotuar se do ta çojë luftën në Kinë.

Partia Islamike Turkestan (TIP) në një video të publikuar më 8 dhjetor, ditën e rënies së regjimit në Siri, i dërgoi kërcënime Pekinit.

Në video shfaqen luftëtarë me automatikë dhe uniforma ushtarake, shkruan thetelegraph.

“Tani jemi këtu në Siri, në të gjitha këto qytete, ne po luftojmë për Allahun dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në Urumqi, Aksu dhe Kashgar tonë në të ardhmen”, tha një burrë i maskuar, duke renditur qytetet në rajonin Xinjiang të Kinës nga janë ujgurët.

“Ne do t’i dëbojmë të pafetë kinezë”, shtoi ai.

https://twitter.com/arslan_hidayat/status/1865806790866120922

Duke përdorur emrin e preferuar të ujgurëve për atdheun e tyre, ai shtoi se “ne luftuam në Homs, në Idlib dhe do të vazhdojmë të luftojmë në Turkestanin Lindor. Allahu na ka dhënë fitoren këtu. Na dhëntë fitore edhe në vendin tonë”.

TIP ka qenë i pranishëm në Siri për më shumë se një dekadë ndërsa anëtarët ikën në Lindjen e Mesme për t’i shpëtuar shtypjes kineze të ujgurëve, një pakicë me shumicë myslimane. Luftëtarët e saj janë bashkuar me grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili ka udhëhequr një ofensivë rebele nga Siria veriperëndimore.

TIP filloi së fundi një fushatë të pazakontë promovuese, duke shfaqur liderin e saj, Abu Muhammed përkrah batalioneve. Një video tregon luftëtarët TIP që luftojnë forcat e Assadit në fund të muajit nëntor të vitit 2024, menjëherë pas fillimit të ofensivës rebele. Një video tjetër tregon luftëtarët e tyre duke hyrë në Damask me tanke, duke valëvitur flamujt me gjysmëhënës blu dhe yje, simbolet e grupit.

Sipas video pretendimeve, më 10 dhe 11 dhjetor, luftëtarët TIP hynë në qytetet portuale strategjike të Latakias dhe Tartusit, përgjatë bregdetit sirian, të cilat më parë ishin një bazë për forcat ruse.

“Shumë grupe u bashkuan kundër nesh. Rusia, Irani, Hezbollahu erdhën – me armë të fuqishme dhe ushtarë të ndryshëm”, tha një luftëtar në një video të 8 dhjetorit. “Por çdo herë, me Allahun si dëshmitar, ne nuk u tërhoqëm. Me ndihmën e Allahut, ne luftuam dhe arritëm këtu. Asnjëherë nuk treguam dobësi apo frikë”.

Ndryshe, grupi i themeluar në vitet 1990 me një prani të mëparshme në Afganistan dhe Pakistan, ka theksuar vazhdimisht prioritetin e tij: pavarësinë ujgure. Qëllimi i tij është “çlirimi i myslimanëve të Turkistanit Lindor nga pushtimi kinez”./Telegrafi