Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka ngritur një shpetësim Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për mënyrën se si ka përdorur ndihmat ushqimore për përfitime politike. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Basha vuri në pah disa raste specifike në komunat Skenderaj dhe Ferizaj, duke akuzuar PDK-në për manipulim të situatës ekonomike të qytetarëve në nevojë.

Sipas Bashës, në Skenderaj dhe Ferizaj janë shpërndarë pako ushqimore me logon e PDK-së, duke i detyruar qytetarët që të fotografoheshin teksa merrnin ndihmat. Ai shprehet se këto pako nuk ishin financuar nga vetë partia, por ishin pjesë e masave të Qeverisë Kurti, konkretisht Masa 3.4, që parashikon 50 euro ndihmë për familjet në nevojë, me kushtin që 70% e vlerës së ndihmave të përbëhet nga produkte vendore.

Basha theksoi se kjo sjellje është një shkelje e dinjitetit të qytetarëve dhe një përpjekje e hapur për përfitime politike. “Nuk ka skamnor që don me dal në foto duke marrë ndihma,” shkroi ai, duke shtuar se njerëzit ishin të detyruar të prisnin në radhë për të marrë këto ndihma bazike.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër kryetarët e komunave përkatëse, përfshirë Agim Aliun dhe Sami Lushtakun, duke theksuar se manipulimi i ndihmave për skamnorët është i papranueshëm, sidomos kur këto ndihma janë financuar nga qeveria dhe jo nga vetë PDK-ja.

Në fund, Basha ironizoi kritikat që PDK-ja i ka bërë ndaj masave të fundit të Qeverisë Kurti, si shpërndarja e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, duke sugjeruar se ata që kanë vepruar në mënyrë të tillë “nuk duhet të flasin”.

Ky postim ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke ndezur diskutime mbi etikën dhe mënyrën e shfrytëzimit të ndihmave qeveritare për qëllime politike.