Ushtarë të KFOR-it amerikanë kanë kryer patrullime në zonën e Zubin-Potokut të dielën, derisa u tha se janë të gatshëm dhe të vendosur të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në një njoftim në Facebook, KFOR-i ka thënë se patrullimet dhe vëzhgimet janë pjesë e misionit të përditshëm “për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt”.

“Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, vazhdojnë të kryejnë patrullime dhe vëzhgime sigurie në Zubin-Potok, Koosvë. Trupat e KFOR-it janë të gatshëm dhe të vendosur të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.

KFOR-i ka përsëritur thirrjen se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në njoftim tha se është në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.