Shkruan: Demir Reshiti

Studiuesi i spikatur opojan, dr. Sadik Mehmeti pas librit “Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) Luma, Opoja, Gora” të botuar vitin e kaluar në edicion të Institutit Albanologjik të Prishtinës, falë punës së tij këmbëngulëse ka arritur që në këtë fillimvit ta ofroj për lexuesin shqiptar edhe një “defter” tjetër të regjistrimit të popullsisë nga viti i largët 1833.

Bëhet fjalë për veprën studimore prej 726 faqesh të titulluar “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833 (Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva, Drenasi)” që këtë radhë dr. Mehmeti e ka realizuar në bashkautorësi me kolegen e tij dr. Hatixhe Ahmedi. Edhe ky libër është botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe është një përmbledhje dhe interpretim i dokumenteve arkivore (defterëve), duke dëshmuar qartazi për shtrirjen e popullsisë shqiptare dhe jo vetëm në një pjesë të rëndësishme të Kosovës, siç ishte Kazaja e Prizrenit gjatë shekullit XIX.

Vlen të theksohet se bazuar në këtë census (të parin të këtij lloji) të realizuar nga administrata osmane del se 80% e popullsisë në këto anë kanë qenë shqiptarë të besimit islam, ndërsa pjesën tjetër prej 20% e kanë përbërë vllehët, shqiptarët ortodoksë dhe serbët.

Me botimin e librave “Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) Luma, Opoja, Gora” dhe “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833 (Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva, Drenasi)”, autori ka arritur që katërçipërisht t’i demantojë pretendimet e historiografisë serbe për praninë e serbëve në këto troje. 

Sadik Mehmeti (1972), është doktor i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka punuar në Arkivin e Kosovës (1999-2018); pedagog i jashtëm në Fakultetin e Filologjisë (2017-2019) e në Fakultetin Filozofik (2016-2018) të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë (2007-2019).

Dr. Sadik Mehmeti është autor i disa punimeve shkencore të botuara në revistat shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, si në “Gjurmime albanologjike” (IA), “Vjetari” (AK), “Kosova” (IH), “Buletini” (Fakulteti Filozofik-UP), “Buletini” (FSI), “Universi” (AIITC-Tiranë), “Studime historike” (Akademia e Shkencave – Tiranë), “Kalendari” (KBIK), “Edukata islame” (BIK), “Perla” (Tiranë), “Studime orientale” (Prishtinë), “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” (Fakulteti Filologjidëik-UP Prishtinë), “Haci Bektaş Velî” (Ankara), autor i 27 zërave në “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” (ASHAK) etj. Është autor dhe bashkautor, i disa monografive nga fusha e historiografisë dhe e arkivistikës: “Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës”, ASHK, Prishtinë, 2008; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore”, vëllimi i II, ASHK, Prishtinë, 2003; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore”, vëllimi III, ASHK, Prishtinë, 2004; “Rrystem ef. Shporta- jeta dhe vepra (1865-1937)”, KBIK, Prishtinë, 2010; “Bibliografi e revistës “Vjetar”-i (1965-2015)”, ASHAK, Prishtinë, 2015; “Kontribute për historinë e Opojës”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015; “Bibliografi e botimeve të veçanta të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”, ASHAK, Prishtinë, 2016; “Udhërrëfyes i fondeve dhe koleksioneve arkivore në Agjencinë Shtetërore të Arkivave”, ASHAK, Prishtinë, 2017; “Shkollat dhe arsimi në Kosovë (1830-1912)”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019; “Të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989), sipas dokumenteve sekrete të Ministrisë Federative të drejtësisë dhe të Administratës”, (bashkë-përgatitës dhe bashkë-përkthyes), botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2019; “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912), sipas dokumenteve te Meshihatit të Lartë Osman, bashkautorë”, botoi: BIRK, 2020; “Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës (katalog)”, botoi: Komuna e Prishtinës, 2022; “Sallnametë e Vilajetit të Prizrenit (1873-1874), vëllimi I-II”, bashkautor, botoi: Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame Prishtinë, 2023; “Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) – Luma, Opoja, Gora”, botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2023.
“Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833” (2025), botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, është libri më i ri i këtij studiuesi.

Vlen të theksohet se dr. Sadik Mehmeti është autor i disa librave dhe kontributeve të tjera për të kaluarën e Opojës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Duke e përgëzuar për librin më të ri, dr. Sadikut i dëshirojmë shëndet dhe suksese edhe të mëtejshme në këtë mision.