Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tre mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje më 13 janar u ankua në PZAP se kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xheneta Syka, ka publikuar video në Facebook ku e krahason kryeministrin Albin Kurti me nazistin Adolf Hitler.

Për këtë arsye, më 15 janar, PZAP-ja e ka dënuar LDK-në me 20 mijë euro gjobë – e cila duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh.

LDK-ja e ka kundërshtuar gjobën, duke thënë se është bërë nga një profil tjetër dhe jo nga kandidatja për deputete.

PZAP-ja ka konstatuar se videoja ishte postuar në profilin e Sykës, por ishte fshirë më pas.

Vendimi i PZAP-së

Në vendimet e 15 janarit, PZAP-ja e ka dënuar kryeministrin Albin Kurti me tre mijë euro për gjuhën fyese që ka përdorur për LDK-në gjatë një tubimi në Pejë më 13 janar.

PZAP-ja e pranoi pjesërisht ankesën e LDK-së, duke konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj kësaj partie kur gjatë tubimit u shpreh: “Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mi përngjan asaj mizës që thoshte kudo që po shkoj, po më presin me duartrokitje (ironizon me gjestikulacion dhe shprehje të pakontrolluara të ftyrës)….”.

Vendimi i PZAP-së