Deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Ai e cilësoi këtë sulm si të ngjashëm me stilin rus dhe theksoi nevojën për një hetim të plotë për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.

“Është turp që organizatori i agresionit në Banjskë, Milan Radoiçiq, vazhdon të shijojë lirinë e tij në Serbi”, shkroi Hacker në platformën sociale “X”.

Tutje e krahasoi këtë sulm me veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës kërkon vëmendje dhe inteligjencë të plotë.

Pas incidentit, autoritetet kosovare dhe ambasadorët e QUINT-it reaguan menjëherë, duke dënuar sulmin dhe duke shprehur mbështetje për Kosovën.

Ata bënë thirrje për sjelljen e autorëve para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

Kryeministri Albin Kurti, mbajti një konferencë urgjente dhe më pas zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Gjithashtu, në orët e para të mëngjesit, u mblodh Këshilli i Sigurisë për të diskutuar mbi situatën.

Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.

Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që “përgjegjësit duhet të japin llogari”.