Dy dronë po fluturonin pranë oborrit presidencial ukrainas kur në vizitë shkoi kryeministri britanik, Keir Starmer. Ai u prit nga presidenti i Ukrainës, Voloymyr Zelensky, derisa në të njëjtën kohë dëgjoheshin alarmet ajrore që paralajmëronin sulme të mundshme nga ushtria ruse.

Skynews ka raportuar të enjten se njëri dron u rrëzua nga sistemet ajrore të mbrojtjes, derisa Zelensky tha se “edhe ne do t’i përshëndesim ata”.

Kryeministri britanik është shprehur se kërcënimi me dronë nga ana e Rusisë “është për ta kujtuar se me çka po përballet Ukrainë përditë”.

“Ne duhet të jemi plotësisht të qartë. Paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që vjen nëpërmjet forcës”, ka thënë tutje ai.

Edhe presidenti ukrainas është shprehur pro arritjes së paqes, por që ajo të garantohet nga fuqitë perëndimore.