Rusia ka deklaruar se përdorimi i raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina do të nxisë kundërpërgjigjen e duhur.

Një sulm i tillë brenda territorit rus “do të shpërfaqte përfshirjen direkte të SHBA-së dhe satelitëve të saj në armiqësi kundër Rusisë”, thuhej në një komunikatë të ministrisë ruse të Punëve të Jashtme.

Presidenti Joe Biden ka miratuar përdorimin e raketave në caqet në Rusi në një prej ndryshimeve më të mëdha në politikën amerikane. Këtë e ka bërë vetëm dy muaj para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Mbetet e paqartë nëse presidenti i zgjedhur Donald Trump, është konsultuar ose nëse edhe ai do ta vazhdojë këtë vendim, duke e ditur se ka premtuar se do t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ukraina ka në dispozicion sistemin raketor ATACMS me rreze goditjeje deri në 300 kilometra dhe raketat franceze e ato britanike “Storm Shadow”, të cilat kanë rreze të njëjtë, por aleatët perëndimorë ia kanë ndaluar Kievit që ta godasë Rusinë me këto raketa.

Ndërkaq, raportet e pakonfirmuara kanë treguar se Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 100 mijë ushtarë në Rusi për luftën e saj me Ukrainën.

Për këtë arsye, Ukraina me sinjale nga SHBA-ja pritet të përdorë raketat në rajonin e Kurskut, ku janë të pozicionuar forcat verikoreane.

SHBA-ja besohet se ka kufizuar përdorimin e këtyre raketave në këtë rajon, por shërbejnë si sinjal ndaj Koresë së Veriut që të ndalojë ndihmat për Rusinë.

Miratimi i Bidenit për përdorimin e këtyre raketave – po shishet si sinjal i Perëndimit ndaj Putinit për t’i treguar se ai nuk mund ta fitojë ushtarakisht luftën me Ukrainën.