Pushteti i Vuçiqit sulmon mediat e pavarura në Serbi, deputetët opozitar protestojnë në Kuvend
Deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë në seancën e sotme kanë mbështetur televizionet N1 dhe Nova S duke ngritur në këmbë letrat e zeza me mbishkrimin: “Errësirë në Serbi pa media të lira”.
Në momentin kur përfaqësuesit e mediave kanë hyrë në sallë, letrat janë ngritur nga deputetët e Grupit të Bashkuar Parlamentar, Partisë Popullore, DS, dhe Klubit të Majtë të Gjelbër.
Kreu i deputetëve të Partisë Përparimtare, Milenko Jovanov, nuk pranoi të flasë, duke kërkuar nga kryesuesja Elvira Kovaç që të sigurojë kushtet për vazhdimin e seancës.
Deputeti i Dverit, Borko Pushkiq, ka shfrytëzuar momentin për të shpalosur flamurin me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin “Jo dorëzim”, prandaj kryesuesi i ka kujtuar atij se sipas Rregullores nuk lejohet të vendosen simbole.
Kujtojmë se në vend të programeve, televizionet N1 dhe Nova S kanë transmetuar një emision televiziv me ekran të zi në të cilin është shkruar mesazhi “Errësirë në Serbi, nuk ka media të lira”.
Kjo vije pas presionit të madh të pushtetit të Vuçiqit dhe mediave që i mbështetë ai dhe njerëzit rreth tij.
Për presion dhe ndërhyrje në mediat e lira në Serbi sot ka reaguar edhe Komisionit Evropian, duke kërkuar që të krijohet klime e përshtatshme për veprimtarinë e mediave të pavarura.