Këto janë ndryshimet e bëra në Kodin Civil, së shpejti procedohet në Qeveri

Këto janë ndryshimet e bëra në Kodin Civil, së shpejti procedohet në Qeveri

Në mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës i tha jo Projekt- Kodit Civil.

Nga 77 deputetë sa ishin në sallë, kishin votuar vetëm 61.

E, prej tyre 28 kishin votua pro, 29 kundër dhe katër kishin abstenuar.

Pozitë e opozitë e kanë përkrahur këtë projektligj, mirëpo partitë që nuk janë në pushtet kanë deklaruar se do të duhet të ndërhyjnë në disa pika para se të vij në Kuvend për lexim të dytë.

Ndryshime, kanë kërkuar edhe deputetë të pushtetit.

Kjo, ka bërë që ky projekt kod të kthehet në ministri të Drejtësisë dhe të bëhen ndryshime, në mënyrë që i njëjti të ri-procedohet përsëri në Kuvend.

Nga ky institucion në vazhdimësi po thonë se i njëjti shumë shpejt do të procedohet për në Qeveri e më pastaj në Kuvend.

Një deklaratë të tillë në muajin tetor të vitit të kaluar e kishte dhënë edhe vet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Front Online përgjigje të njëjtë nga ky dikaster ka marrë përsëri.

Ata nuk kanë treguar se kur Kodi Civil do të procedohet për në Qeveri.

“Kodi Civil është prioritet për Ministrinë e Drejtësisë dhe me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë. Po sa të jetë i gatshëm Kodi Civil, i njëjti do të procedohet për në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MD-së, për Front Online.

Por, kanë treguar ndryshimet të cilat janë bërë në të.

Ndryshimet në Kodin Civil janë:

“• Parimeve dhe barazisë të gjithë qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminimi; Burimet e së drejtës civile; Harmonizimi me direktivat e BE-së dhe Acquis comunitares dhe standardet tjera ndërkombëtare;

  • Harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për detyrimet duke i evituar konfliktet e ligjit dhe paqartësitë; Sqarimi dhe lehtësimi i zbatimit të ligjit – dispozitave për kontratat që do të ndikon edhe në të bërit biznes dhe sigurinë më të madhe të qytetarëve; Janë saktësuar afatet e parashkrimit (humbjes ) së kërkesave – të drejtave nëse ato nuk kërkohen me kohë, p.sh borxhit, përmbushjes së kontratave, kompensimin e dëmit etj;
  • Janë sqaruar të drejtat pronësore; Shumë aspekte të mënyrave të fitimit të pronësisë janë përfshi si dispozita të reja që nuk kanë qenë deri me tani p.sh fitimi i pronësisë me vendim të organit shtetëror, me bashkimin e sendeve’
  • Është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare; Është siguruar një mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë, ku pasuria është e barabartë 50%:50% për secilin bashkëshortë; Është arritur një siguri më e madhe e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëshortit/es gjatë shkurorëzimit; Të drejtat e fëmijëve janë rregulluar në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare që gjithmonë të mbrohet interesi më i mirë i fëmijëve, duke i dhënë mundësi edhe fëmijës 6 vjeçare që të dëgjohet në çdo procedurë kur vendoset për interesat; Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë;
  • Janë hartuar dispozita ligjore që garantojnë barabarësinë efektive në trashëgimi duke u siguruar që edhe gratë të arrin ti realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë (edhe pse kjo e drejtë ka qenë e garantuar, me Kodin Civil janë paraparë dispozita që e sigurojnë secilin në gëzimin e të drejtës së tij/saj me një procedurë transparente par noterëve dhe gjykatave); Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve, mund të bëhet vetëm duke u siguruar një procedurë transparente dhe njoftuar palët/trashëgimtarët me pasojat që ka heqja dorë; Bashkëshortët që jetojnë në Bashkëjetesë të cilët nuk kanë lidhur martesë dhe nuk kanë metresë me persona tjerë, e kanë të drejtën e trashëgimisë nëse kjo bashkësi ka zgjatur 5 vite, ndërsa në rastin kur kanë fëmijë të ketë zgjatur 3 vite”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.

MD: Çështja e martesave të personave me gjini të njëjtë do të rregullohet me ligj të veçantë

Ndërsa, pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se çështja e martesave të personave me gjini të njëjtë do të rregullohet me ligj të veçantë

 “Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë”, thuhet në përgjigjen e MD-së, për Front Online.

Eman Rrahmani: Nëse nuk janë bërë ndryshimet në Kodin civil do të votoj kundër

Njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes që ka votuar kundër Kodit Civil, ka qenë Eman Rrahmani.

I njëjti ka thënë sot për Front Online se nëse përmbajtja e këtij kodi është e njëjtë do të votoj përsëri kundër.

 “Prapë e them që nëse është përmbajtja e njëjtë për ato që kemi votu kundër, prapë kundër do të votojë”, ka thënë Rrahmani për Front Online.

Duda Balje për Kodin civil:  Kam informata që nuk ka ndryshuar, nuk do ta votoj

Kundër, ka votuar edhe deputetja e grupit multietnik, Duda Balje.

Por, thotë se ka informata që nuk është bërë asnjë ndryshim.

my-portfolio

E, në rast të mos ndryshimeve deklaron se përsëri do të votoj kundër.

“Unë qysh kam informata nuk është bërë asnjë ndryshim, dhe nuk është bërë asnjë ndryshim që ne kemi kërkuar. Unë nuk kam asnjë arsye për me ndryshua votën nga hera e parë. Nëse është ashtu ne edhe njëherë bisedojmë me ministren, por unë kam informata që asgjë nuk ka ndryshuar në këtë rrugë”, ka thënë Balje për Front Online.

Mërgim Lushtaku: Nuk do ta votoj Kodin Civil

Që do të votojë përsëri kundër këtij Kodi Civil, është edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Jo, nuk do ta votoj”, ka thënë shkurt ai, për Front Online.

Front Online, ka provuar që për këtë çështje të marrë përgjigje edhe nga disa prej deputetëve që kanë votuar kundër, por të njëjti nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.

Deputetët që kanë votuar kudnër Kodit Civil, në herën e parë kanë qenë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV) Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë./Front Online

CATEGORIES
Share This