“Bazën e kemi të mirë, lidhjet e forta”, Kurti: Erdoganin e falënderova për përkrahjen për anëtarësim në NATO e KiE

“Bazën e kemi të mirë, lidhjet e forta”, Kurti: Erdoganin e falënderova për përkrahjen për anëtarësim në NATO e KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në Pallatin Vahdettin të Stambollit. Pas takimit, dyshja iu drejtuan mediave me një konferencë për media ku shprehën qëndrimet e shteteve që përfaqësojnë.

I pari që mori fjalën ishte nikoqiri, Erdogan i cili u shpreh se mbështet dialogun Kosovë-Serbi. Ndërsa, Kurti tha se me Erdogan kanë biseduar për mundësi të reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, atë sigurisë e të mbrojtjes.

“Jemi gjithnjë mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin e paqen në vend, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë sonë dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”.

Kreu i Qeverisë kosovare u shpreh falënderues ndaj mbështetjes të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës.

“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në KiE. Në NATO na bashkon orientimi e në KiE vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon Evropa”, tha Kurti.

Tutje Kurti foli edhe për marrëdhënien tregtare që kanë dy shtetet duke shtuar se duhet të krijohet një ekonomi e qëndrueshme.

“Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik e tregtar. Kjo na gëzon po nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës nuk la pa përmendur edhe komunitetin turk në Kosovë për të cilë tha se luajnë një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.

Në fund, Kurti u shpreh se komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve.

“Bazën e kemi të mirë, lidhjet e forta, vullnetin e madh, andaj lë të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”, përfundoi Kurti.

Ndryshe, presidenti turk ka thënë se, Turqia është shteti i dytë që e njeh Kosovën pas Amerikës, duke shtuar se do të vazhdojë mbështetja për Kosovën.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e nevojshme në pikën e shërimit të plagëve të fatkeqësisë nga përmbytjet,”-ka thënë fillimisht ai.

Më pas Erdogan ka shtuar se mbështet edhe përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Ne mbështesim përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne diskutuam se çfarë mund të bënim së bashku,”- ka thënë ai.

Erdogan po ashtu ka njoftuar se ka kërkuar nga Kurti ndihmë për luftën kundër FETO-s./GazetaSinjali

CATEGORIES
Share This