‘ShBA-ja i mbështet 6 kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit‘

‘ShBA-ja i mbështet 6 kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit‘

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, tha se mendon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesnin një rezolutë të Kuvendit me gjashtë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Madje sipas Aganit, rreth këtyre gjashtë pikave nuk është kundër asnjë deputet i Kuvendit, derisa shtoi se nga miratimi i një rezolute për këtë çështje do dëshmohej që Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe paqe në rajon.

“Mendoj se gjashtë kushtet e kryeministri Kurti, paraqesin një integrim të mirë të synimeve strategjike të Republikës së Kosovës në procesin negociator. Ofrojnë mundësi ideale që të ofrohen spektri politik i vendit, të krijohet një konsensus politik në Kuvend të Kosovës. Rreth këtyre 6 pikave, asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk është kundër. Mendoj që një rezolutë e Kuvendit e cila i përmban këto 6 pika, do dërgonte mesazh të qartë te negociatorët, sepse tani kemi ardhur te vija e kuqe e Republikës së Kosovës. Kjo rezolutë do dërgonte mesazh që Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe paqe në rajon dhe se këto 6 pika janë të përfshira në dokumentin e Bashkësisë Evropiane. Mendoj se ShBA do ta mbështeste një rezolutë të tillë plotësisht. Mirëpo, ndoshta do të ketë rezerva kur është në pyetje reciprociteti”, deklaroi Agani në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Tutje, Agani shtoi se deklarimet të cilat shkojnë në drejtim të kundërt, në një farë mënyre dërgojnë mesazh te partnerët ndërkombëtarë që Kosova nuk është e gatshme ta implimentojë Asociacionin.

“Mendoj se e dobësojnë pozitën politike të Kosovës dhe i japin mjaft paqartësi në procesin negociator”, theksoi Agani.

Gjithashtu, Agani deklaroi se duhet të insistohet që në çdo marrëveshje përfundimtare lidhur me Asociacionin, të ndodhë pasi Serbia ta njohë Kosovën si shtet.

CATEGORIES
Share This